Xha Nekiu, peshkatari 90-vjeçar

15/07/2014 00:00

Pasioni për peshkimin nuk ka moshë. Neki Mika është 90 vjeç dhe deri vonë dilte rregullisht për të peshkuar në të gjithë Shqipërinë. Edhe pse ecën me vështirësi dhe duart i dridhen, ish-ushtaraku tregon me shumë nostalgji mjetet që përdorte dikur.

“Me kallam nxirrja peshq e ngjala, ndërsa me gërshërë i pastroja nga halat pasi nuk doja ta mundoja gruan”, tregon i moshuari.

Për herë të parë, Xha Nekiu, siç e thërrasin të gjithë, nisi të peshkonte në vitin 1985, kohë kur doli në pension. Bashkë me shokët e kishte bërë traditë që dy herë në javë të merrte kallamin për të peshkuar në Adriatik dhe Jon. Me të njëjtën rregullsi vazhdoi pa shkëputje deri në vitin 2008.

“Kur kisha motorr, vija e peshkoja në liqenin e Tiranës”, thotë Nekiu.

Mes miqve të peshkimit, 90-vjeçari mban mend kohën kur dilte për peshk me të ndjerin Kadri Roshi: “Kadriu edhe nëse nuk nxirrte gjë vetë, peshkatarët e merrnin me vete dhe i jepnin pasi e njihnin.”

Sot, në shtëpinë e xha Nekiut ka ardhur peshkatari më i vogël, 10-vjeçari Anxhelo Blushi.Takimi mes dy brezave i ngjan dorëzimit të stafetës, ku 90-vjeçari nuk harron t’i japë djalit porositë si peshkatari-peshkatarit.

Ajo që i bashkon dy brezat i kalon kufijtë e peshkimit për të kaluar kohën. Mbi të gjitha i bashkon dashuria për detin.

Top Channel