Enkeli, regjisori i cili nuk humbet javë pa peshkuar

15/07/2014 00:00

Enkel Gurakuqi ishte vetëm 10 vjeç kur për herë të parë nisi të peshkonte. Që nga ajo kohë, pasioni për detin jo vetëm që nuk është shuar, por kallami i thjeshtë prej bambuje është zëvendësuar me atë të fibrave të karbonit, grepave shumëngjyrësh apo maniketave profesionale.

36-vjeçari me profesion regjisor edhe pse gjatë ditës ka shumë pak kohë të lirë, gjen mundësi të paktën një herë në javë për pasionin e hershëm të fëmijërisë. Është e vështirë të përcaktosh ku do të jetë Keli në fundjavë. Mjafton që moti të mos jetë kapriçoz dhe bregu e mirëpret.

Deti është i mistershëm, plot të papritura. Askush nuk e di me siguri si do të shkojë peshkimi. Mund të qëndrosh me orë të tëra në diell pa kapur asnjë peshk, sikurse me pak fat të zësh peshq të përmasave të ndryshme: “Kam kapur një kocë të vogël. Është shumë e vogël dhe natyrisht që duhet lëshuar.”

Dita nuk ishte shumë e frytshme. Kushtet klimaterike ishin të mira, por kjo nuk e ndihmoi peshkimin. Peshqit e vegjël Keli i rikthen sërish në det, ndërsa të mëdhenjtë qëndruan larg grepave.

“Nuk pata mundësinë të kapja ndonjë peshk të mirë, por u kënaqa”, thotë Keli.

Si çdo peshkatar shpreson se herën tjetër fati do të tregohet më bujar me të. Duke marrë urimin e peshkatarëve të vjetër: qëllofsh!

Top Channel