Holanda është përgjegjëse për vrasjet e më shumë se 300 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë korrikun e vitit 1995.

Vendimin e mori një gjykatë holandeze vetëm një vit pasi një tjetër gjykatë, po në Holandë, e veshi vendin me përgjegjësine e vdekjes së 300 boshnjakëve në ngjarjen e rëndë të dy dekadave më parë.

Arsyetimi është i thjeshtë: paqeruajtësit holandezë nuk i mbrojtën banorët kur Srebrenica ra në duart e ushtrisë serbo-boshnjake.

Më shumë se 7.000 burra dhe djem myslimanë u ekzetuan në atë që konsiderohet si masakra më e madhe e këtij lloji që prej Luftës së Dytë Botërore.

Boshnjakët, që u përpoqën të gjenin shpëtim duke kërkuar ndihmën e holandezëve, iu dorëzuan serbëve. Padia ishte paraqitur nga të afërmit e viktimave nën emrin “Nënat e Srebrenicës”.

Në vendim thuhet se forcat paqeruajtëse holandeze, Dutchbat, nuk bënë sa duhet për mbrojtjen e 300 boshnjakëve të ekzekutuar dhe se duhet ta kishin kuptuar rrezikun e genocidit.

Shtetit holandez tani i duhet të pranojë një pjesë të përgjegjësisë për ngjarjen e përpara 20 vjetëve dhe t’i paguajë kompensime familjeve të 300 viktimave.

Edhe pse i një rëndësie të jashtëzakonshme, vendimi sërish nuk ishte ai çfarë shpresonin Nënat e Srebrenicës, për shkak se shteti holandez u shpall vetëm pjesërisht përgjegjës për masakrën, në një kohë kur numri i të vrarëve është shumë herë më i madh.

Top Channel