Ç’është një ditë në plazh pa një libër të mirë? Bibliotekat e lëvizshme buzë detit janë një gjetje tepër e zgjuar, e përshëndetur dhe gjithmonë e më shumë e aplikuar në mbarë botën, thotë “Huffington Post”, një prej blogjeve më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Harruat të merrnit me vete një libër kur u nisët për pushime? Pa problem, sepse e gjen një zëvendësues! Mbaruat rreshtat e fundit? Ka plot zgjedhje të reja për ju!

Bibliotekat e vogla në rërë janë një trend që po gjen vend në plazhet anembanë botës, sipas Atlas Obscura. Resorti i Albenas në Bullgari e ka çelur për të dytin sezon veror radhazi bibliotekën e tij të lëvizshme, e cila ofron për pushuesit më shumë se 6 mijë libra.

Por ndër plazhet e përmendura nga faqja e suksesshme online për këtë risi që sjell është edhe ai i Jalës, në jug të Shqipërisë, së bashku me fotografinë ilustruese.

Biblioteka e plazhit nuk është vetëm një mënyrë e re dhe mjaft krijuese për t’i tërhequr njerëzit tek leximi, por me librat që ofron i shton mundësitë për të kaluar një ditë sa më të këndshme buzë detit.

Mes titujve në raftet e saj mund të gjeni një libër të jashtëzakonshëm për të lexuar, i cili krijon një harmoni perfekte me ambjentin ku ndodheni dhe qetësinë e pushimeve.

Zakonisht, në bibilioteka të tilla përzgjidhen veprat e autorëve më të mirë, të cilat njihen si të suksesshme, në përpjekje për t’iu përshtatur një game sa më të gjerë shijesh.

Top Channel