Apeli për maturën shtetërore

16/07/2014 00:00

Më datë 22 korrik, në portalin e maturës shtetërore do të gjenden pikët e fituara dhe nota mesatare për të rinjtë të cilët duan të fillojnë studimet universitare.

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj tha se të rinjtë duhet të nisin plotësimin e formularit A2, pasi të kryejnë një pagesë prej 2 mijë lekë në postë.

“Ky proces ka dy faza. E para pagimi i mandat-pagesës pranë postës ose bankës; dhe e dyta ku aplikanti do hedhë notat dhe mesataren nën kujdesin e autoriteteve shkollore, me të cilat ai do të rikontrollojë notën në mënyrë që të mos ketë asnjë gabim dhe transparencë”, deklaroi Malaj.

Maturantët në fazën e dytë të plotësimit të formularit A2 kanë të drejtë të zgjedhin deri në 10 programe preferenciale në bazë të pikëve që ata kanë.

“Maturantët të mos përtojnë por të plotësojnë 10 kërkesat kur të vijë momenti i formularit A2, sepse ka ndodhur që një maturant është fokusuar në një lëndë, ka bërë 2-3 preferenca dhe kjo ka bërë që të skualifikohet. Këto kanë ardhur nga keqmenaxhimi dhe kërkesa e maturantëve në këto raste nuk janë plotësuar”, shtoi Malaj.

Top Channel