Fund abuzimit me ndihmën ekonomike

17/07/2014 00:00

Plot 100 milionë dollarë nga buxheti i shtetit janë shpërdoruar në mënyrë abuzive nga qeveria e kaluar për të dëmshpërblyer për vite të tëra 20 mijë persona ndër vite.

Kryeministri Edi Rama, në analizën e 300-ditëshe të Ministrisë së Mirëqënies Sociale, tha se situata të tilla nuk mund të përsëriten.

“Është paguar për njerëzit e gabuar për arsye të gabuara që janë korrupsioni, klientelizmi dhe zgjedhjet e radhës 100 milionë dollarë. Aq sa do mjaftonin për të paguar 2 vjet rresht njerëzit e duhur”, deklaroi Rama.

Rama tha se Ministria e Mirëqënies Sociale po i jep zgjidhje problemeve kyçe të vendit, sic është reforma e pensioneve por edhe problemi i mbartur ndër vite dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë.

“Ajo që neve na takon është që brenda mandatit të parë të mos ketë më asnjë të përndjekur që të mos ketë marrë shpërblimin që i takon. Ata që do dalin në pension në vitin 2032 të përgatiten, se atëherë pensionet s’do merren si sot, sepse na bie të zhytemi çdo vit. Ne e bëmë në 300 ditë reformën e pensionit”, tha Rama.

Ndërsa ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj tha se kjo ministri merr pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ndaj është e rëndësishme që paratë të shkojnë aty ku duhet.

“Njerëz që s’kanë bërë kurrë burg s’mund të marrin pagesa, njerëz që kanë falsifikuar pronat dhe në emër të të përndjekurve janë pasuruar nuk mund të jenë pjesë e skemës sonë. Ne bazohemi tek nevoja dhe merita. Ajo që shpenzojmë sot si subvencion i sigurimeve shoqërore është sa dyfishi i investimeve, që janë sot sa gjithë pagesat e aftësisë së kufizuar. Si mund të zhvillohet vendi kur ministra që kontrollon 38 për qind të buxhetit të shtetit nuk i menaxhon si duhet këto para”, tha Veliaj.

Gjatë këtyre 300 ditëve janë punësuar 3 mijë vetë dhe sipas Veliajt, forcimi i arsimit profesional do të jetë një ogur i mirë për punësimin e qindra të rinjve.

Top Channel