Microsoft shkurton 18 mijë vende pune

17/07/2014 00:00

Microsoft njoftoi shkurtimin e 18 mijë vendeve të punës, shkurtimi më i madh i ndodhur ndonjëherë në historinë 39-vjeçare të gjigantit amerikan të teknologjisë.

Sektori më i prekur nga këto shkurtime do të jetë ai i prodhimit të telefonave Nokia, që Microsoft e bleu në muajin prill. 12.500 punonjës do të shkarkohen në këtë sektor, ndërkohë që shifra prej 18 mijë vendesh pune të mbyllura është tre herë me e lartë se sa parashikohej fillimisht.

Shkurtimet janë pjesë e reformimit të kompanisë nën drejtimin e kreut ekzekutiv të saj Satya Nadella i cili u emërua në këtë post në muajin shkurt. Ai tha se kompania do të largohet gradualisht nga prodhimi i software-ve për t’u përqendruar më shumë tek shërbimet online, aplikacionet dhe pajisjet.

“Ky vendim ishte i vështirë, por i nevojshëm për të ardhmen e kompanisë”, tha Nadella.

Në njoftim Microsoft deklaron se të gjithë punonjësit e prekur nga këto shkurtime do të njoftohen paraprakisht brenda gjashtë muajve.

Në total perandoria e Bill Gates numëron 127 mijë punonjës në mbarë botën duke u radhitur ndër kompanitë teknologjike me numrin më të lartë të punonjësve.

Top Channel