Dashuria e saj për violinën ishte dashuri me shikim të parë. Nuk kishte mbushur ende 5 vjeç kur dëgjoi tingujt e një violine të rastësishme në rrugët e Tiranës.

Edhe pse shumë e vogël në moshë, ishte e qartë se jeta e saj që nga ai moment do të lidhej ngushtë me atë instrument.

Uendi Reka tashmë është 14 vjeç, por jeta e saj artistike është e mbushur me diploma dhe çmime të para, në Shqipëri dhe jashtë kufijve. Prej nëntë vitesh, Uendi numëron dhjetëra çmime për të cilët i është dashur të punojë shumë, vazhdimisht.

Por, pavarësisht talentit, ajo vijon të kalojë pjesën më të madhe të ditës duke u ushtruar e më pas duke korrur frytet e punës së saj.

Koncertet recitale të Uendit sa vijnë e shtohen. Dashuria e saj për violinën, gjithashtu. Berlini dhe Piaçenca ishin ndalesa e saj përgjatë ditëve të fundit. Tashmë, radhën do ta kenë skena të reja dhe të tjera qytete dhe shtete, aty ku Uendi pritet gjithmonë me shumë duartrokitje.

Top Channel