FMN: Ekonomia po ringrihet

17/07/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia shqiptare mund ta ketë kaluar pikën më të ulët të krizës në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Në raportin e fundit vlerësues për Shqipërinë, Fondi thotë se ekonomia po jep shenja rigjallërimi dhe se prodhimi kombëtar pritet të rritet me 2 për qind këtë vit, në linjë me parashikimet fillestare.

Por, siç vëren FMN, edhe ky ritëm është sërish i ngadaltë, pasi Shqipërisë i duhet një rritje më e shpejtë për të ulur papunësinë e lartë dhe për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Në lidhje me këtë të fundit, FMN vëren se qeveria ka patur një performancë të mirë fiskale, duke mbledhur më shumë të ardhura se plani i programuar në buxhet, për shkak të administrimit më të mirë të taksave por edhe rimbursimeve të ulëta të TVSH-së.

Por megjithë rritjen e të ardhurave dhe mbajtjen e shpenzimeve nën kontroll, FMN thotë se rreziqet fiskale për ekonominë janë rritur sërish që nga koha kur u hartua buxheti. Kjo, siç shpjegohet në raport, për dy arsye, që janë kriza energjetike dhe kërcënimi që vjen nga fatura e kompensimit të pronave në gjyqet e Starzburgut.

Sipas FMN, kjo e fundit po shndërrohet në një rrezik gjithmonë në rritje për qëndrueshmërinë e vendit, pasi fatura që vjen nga humbja e gjyqeve me ish-pronarët mund të jetë e papërballueshme për buxhetin.

Megjithatë, në përfundim FMN deklaron se për këtë vit nuk do të kërkojë ndërhyrje të tjera tek taksat, por për 2015 qeveria do të jetë e detyruar të paraqesë të tjera masa shtesë për t’i rritur të ardhurat me 1.2 për qind e prodhimit kombëtar, ose rreth 120 milionë euro.

Top Channel