Grupet e interesit kundërshtojnë ndryshimet në ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik, propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi – sipas tyre – lejimi i barnave të paregjistruara në tendera spitalore cënon sigurinë e tyre. Ata kanë ngritur shqetësimet e tyre në komisionin parlamentar të Shëndetësisë.

“Nëse lejohet një lirshmëri e tillë e marrjes së të drejtave të tregtimit në rastet e ashtuquajtura nevoja madhore, atëherë prishet garantimi dhe standardi i zinxhirit të shpërndarjes për të cilat përgjigjen kompanitë dhe rrezikohet që në këtë zinxhir shpërndarjeje të hyjnë produkte të falsifikuara apo me mungesa të theksuara të efikasitetit apo të sigurisë”, tha Roland Xhafaj, kreu i Shoqatës së Përfaqësive Farmaceutike.

Në mbështetje të tyre kanë qenë dhe deputetë të LSI.

“Një barn i regjistruar dhe i gjurmueshëm është një barn i sigurt, e kundërta, një barn i paregjistruar apo që ka mundësi të hyjë në rrugë nga më të “çuditshmet”, e bën sistemin të pasigurt. Sikur edhe një muaj më shumë në regjistrimin e barnit, është shumë më i dobishëm se sa një shthurrje në këtë mekanizëm themelor”, u shpreh deputeti i LSI, Petrit Vasili.

Ndërsa deputeti i PS, Eduart Bejko, u ka kujtuar kompanive farmaceutike raportin e Bankës Botërore, ku theksohej se shqiptarët blenë ilaçet disa herë më shtrenjtë se në vendet e tjera të BE-së dhe rajonit.

“Ligji nuk do rikthehet, pasi edhe ai ka investimet e veta nga grupe të tjera. Jam dakord me disa nga shqetësimet tuaja, siç janë problemi i regjistrimit, i negociimit, problemi i raportit të barnave gjenerike me barnat patentë, por duke marrë shkas edhe nga raporti i fundit i institucioneve europiane, ku thuhet se shqiptarët janë paguesit më të mëdhenj të barnave në vendin e tyre, atëherë këtu duhet të ndalojmë pak t’i shohim gjërat më me realitet”, deklaroi Eduart Bejko, deputet i PS.

Nënkryetarja e komisionit parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Klodiana Spahiu, dhe deputetët e këtij komisioni i kërkuan grupeve të interesit të riformulojnë me shkrim shqetësimet e tyre, në mënyrë që tia paraqesin Ministrisë së Shëndetësisë.

Top Channel