Reformimi shpëton pensionet nga kolapsi

18/07/2014 00:00

Qeveria thotë se reforma e re, që ka propozuar për pensionet, shmang përfundimisht falimentimin e sistemit dhe rikthen qëndrueshmërinë e skemës.

“Në vitin 2015, në qoftë se do të vazhdonte skema e vjetër, deficiti i skemës së pensioneve do të ishte 26 miliardë e 639 milionë, ndërsa me skemën e re ky deficit do të ulet në 5 miliardë e 304 milionë, pra deficiti për vitin 2015 do të jetë 21 miliardë e 335 milionë”, shprehet Vjollca Braho, drejtoreshë e ISSH.

Në vitin 2013, deficiti i skemës së pensioneve arriti rekordin historik me 1.8 përqind të prodhimit kombëtar, si pasojë e rritjes disavjeçare të pensioneve dhe rënies së të ardhurave nga kontributet. Sipas llogarive të Ministrisë së Punës, me skemën e re ky deficit ulet në 1.6 përqind vitin e ardhshëm, dhe 1 përqind brenda 5 vjetëve.

“Ajo që ne presim është, së pari, të ndalet kjo rritje e subvencioneve dhe të fillojë gradualisht duke rënë. Çliron më shumë parà për investime, për shkolla, për rrugë, për çështje me interes publik, dhe më pak për të subvencionuar një skemë që, momentalisht, ka dalë jashtë kontrollit, sidomos në vitet 2005-2013”, deklaroi Erjon Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Pjesën më të madhe të këtij përmirësimi, Ministria e Punës e bazon në pritshmëritë se lidhja më e drejtë mes kontributeve dhe përfitimeve e bën skemën më atraktive dhe do të tërheqë më shumë njerëz, që të kontribuojnë në të.

Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se ka dhe një variant tjetër më pesimist. Ekspertët e FMN, që kanë studiuar skemën e propozuar nga qeveria, thonë se, nëse numri i kontribuesve nuk do të rritet, skema e re do të gjenerojë shumë pak kursime dhe do të mbetet me deficit të lartë, përkatësisht 1.6 përqind e prodhimit kombëtar për 10 vitet e ardhshme.

Sipas FMN, edhe ky përmirësim do të vijë kryesisht nga rritja e kufirit të pagave, mbi të cilat do të llogariten kontributet. Por, sërish, në të dy rastet, ekspertët e FMN e mirëpresin reformimin e skemës. Sipas tyre, nëse nuk do të ndërhyhej, me tendencën e dhjetë viteve të fundit shumë shpejt sistemi i pensioneve do të kërcënonte buxhetin dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Top Channel