Rreth 50 shtetas të Kosovës, mes të cilëve 12 fëmijë, mbetën të plagosur në një aksident rrugor të ndodhur në jug-lindje të Serbisë.
Mediat serbe njoftuan se dhjetë prej tyre morën lëndime të rënda.

Të gjithë pasagjerët ishin shqiptarë të nisur nga Podujeva për në Salzburg të Austrisë. Sipas televizionit publik serb, 12 fëmijët që ndodheshin në autobus nuk kanë qenë në asnjë moment në rrezik për jetën.

Mediat serbe thanë se ky aksident ndodhi të shtunën në mëngjes, rreth orës shtatë. Në vendin e ngjarjes dolën ekipet e urgjencës nga Prokuplja, që erdhën për të ndihmuar kolegët nga Kursumlija e Nishi, të cilët nxorrën jashtë autobusit pasagjerët e plagosur.

Këta të fundit, gjithmonë sipas raportimeve të mediave serbe, u dërguan në një spital të afërt dhe nga kontrollet mjekësore rezultoi se asnjë prej tyre nuk ishte në rrezik për jetën.

Ndërkohë, gjatë pasdites së të shtunës, shumica e personave të lënduar në aksident lanë qendrat mjekësore dhe brenda një ore mbërritën në pikën kufitare të Merdares, ku u pritën nga familjarët e tyre.

Po gjatë pasdites, autoritetet kosovare deklaruan se vetëm 4 nga 33 të rriturit e lënduar janë në gjendje shëndetësore paksa më komplekse. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj njoftoi ngritjen e një shtabi
emergjence për të menaxhuar situatën.

“Konfirmoj angazhimin tim, të
MPJ-së dhe Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, e cila që prej momenteve të
para të aksidentit ka qenë në vendngjarje për të ofruar ndihmën e
nevojshme mjekësore”, tha Hoxhaj.

Top Channel