F1, Hamilton: Shpëtova mirë!

20/07/2014 00:00

Provat zyrtare të Cmimit të Madh të Gjermanisë u ndërprenë në Q1 pas një aksidenti të frikshëm të Lewis Hamiltonit, i cili përplasi Mercedesin e tij pas mureve mbrojtëse. Britaniku humbi kontrollin e makinës për shkak të një problemi me frenat, por fatmirësisht nuk pësoi asnjë dëmtim fizik.

Sot do të niset nga vendi i 15 dhe do i duhet të bëjë një garë në sulm nëse kërkon të mos humbasë shumë pikë nga shoku i tij i skuadrës, Nico Rosberg, i cili do të niset nga vendi i parë dhe duket se do të shkojë i pashqetësuar drejt fitores së radhës.

“Makina ishte perfekte. Frenova pikërisht aty ku frenoj gjithmonë, por papritur humba presionin e frenave. Më zuri në befasi dhe u përplasa pas murit mbrojtës. Fatmirësisht nuk u dëmtova. Më dhembin pak këmbët, por jam gati për garën”, tha Hamiltoni ditën e shtunë.

“Më vjen keq për skuadrën pasi ka punuar shumë për të më dhënë një makinë të mirë dhe unë nuk bëra dot as pesë xhiro”, shtoi kampioni i Formulës 1 në vitin 2008.

Top Channel