Gjatë firmosjes së kontratave të subvencioneve në bujqësi, në qarkun e Korçës, kryeministri Edi Rama deklaroi se tashmë ka ardhur koha të fokusohemi te shembujt e suksesit. Sipas tij, kështu do të shtohen vendet e punës, do të rritet prodhimi, me synimin final shtimin e eksportit.

“Vetëm me një ndryshim fillestar, që është bërë në këto 300 ditë të para, vetëm me një vëmendje më të madhe dhe me një përgjegjshmëri, që e ka rifituar sot shteti brenda këtyre 300 ditëve, ne kemi disa shifra shumë inkurajuese. Jemi në afro 30% më shumë eksport të prodhimeve bujqësore dhe i kemi të gjitha mundësitë, që shifrat e eksportit t’i shumëfishojmë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Drejtoritë e Bujqësisë, tha Rama, nuk duhet të jenë vetëm zyra konsulence për t’i treguar fermerëve se si të aplikojnë, jo vetëm te Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), që tashmë funksionon si një instrument i BE, por edhe në fonde të tjera.

“Do të orientojmë financimet drejt rajonalizimit, për të nxitur dhe mbështetur rajonalizimin, dhe për të nxitur dhe mbështetur rajonet dhe fermerët në çdo rajon, që të fokusohen tek ato kultura, që janë më të përshtatshme për rajonin. Në këtë mënyrë, të kemi një hartë të prodhimit bujqësor, të jetë një hartë e harmonizuar, jo më me diktat nga lart si dikur, por me imponimin që bën gjeografia, imponimin që bën klima, me imponimin që bën domosdoshmëria, që ne të jemi konkurrues”, theksoi më tej Rama.

Sipas ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, përqasja e qeverisë ndaj mbështetjes së bujqësisë është tërësisht e re dhe shumë pragmatiste.

“Kjo është diferenca e madhe, që ne bëjmë me skemat e mëparshme, dhe ky është një ndryshim i madh, që ne do t’i japim bujqësisë. Ne, skemat e mbështetjes së bujqësisë do t’i orientojmë  drejt rajonalizimit të prodhimit bujqësor. Natyrisht, çdo qark ka ato që quhen avantazhe konkurruese dhe krahasuese. Mbështetur kjo edhe mbi traditat historike, por edhe mbi kushtet klimatike dhe strukturën e tokës”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Panariti.

Top Channel