Ligji i ri për tekstet shkollore

20/07/2014 00:00

Një grup ekspertësh në Ministrinë e Arsimit po harton ligjin e ri të teksteve, i cili do të saktësojë dhe do të përcaktojë programet, por edhe numrin e teksteve, me të cilët do të mësojnë nxënësit shqiptarë. Nëse do të ketë një tekst për një lëndë, apo disa, kjo do të shikohet hap pas hapi.

“Do të kemi një ligj të ri për tekstin shkollor, tekste cilësore, jo të çoroditura dhe alternativa e ndikime pa fund, që nuk thonë asgjë për formimin cilësor të nxënësve”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se deri në fund të këtij viti, pasi të kryhet akreditimi nga agjencia britanike “Enka”, do të merren masa të forta për mbrylljen e të gjitha universiteteve, që nuk plotësojnë kriteret.

“Edhe pse ligji e thotë prej kohësh, ndodh për herë të parë në Shqipëri. Brenda 300 ditëve, për 59 institucione, ne kemi transparente situatën e tyre që lidhet me kriteret e licencimit. Tejet problematike, por ne do ta bëjmë një raport përfundimtar transparent për publikun, për çdo institucion, duke pasur një strandard, një masë si për publiket dhe ato jopublike, që janë vetëm ligji dhe kriteret e licendimit”, theksoi më tej zonja Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se këtë vit nuk do të ketë kuota të fryra, sa i përket pranimit në universitete.

“Nuk do të kemi kuota të fryra, që ngriheshin pa asnjë lloj sensi dhe rezultati të parë realisht në këto institucione. Pra, universitetet propozojnë disa kuota, por në referencë edhe me të gjitha standardet dhe kriteret që lidhet posaçërisht me stafin akademik, por dhe me kushte të tjera të funksionalitetit”, deklaroi ministrja Nikolla.

Arsimi i lartë pritet të pësojë një sërë ndryshimet, pas miratimit të draftit të përgatitur nga komisioni i ekspertëve të arsimit të lartë.

Top Channel