Projektligji i ri për personat me aftësi të kuafizuara, i cili do të diskutohet ditën e hënë në komision, përfshin të gjitha grupet me aftësi të kufizuara, fizike dhe mendore, që deri më sot nuk kanë përfituar asnjë ndihmë sociale.

“Duke pasur parasysh se kemi grupime të ndryshme, si persona me aftësi të kufizuara mendore, që është një numër shumë i konsiderueshëm, përbën madje gjysmën e numrit total të personave me aftësi të kufizuara, ose persona që nuk dëgjojnë e nuk flasin, të cilët kanë qenë të diskriminuar për faktin që nuk kanë pasur status dhe s’kanë pasur ligjin e tyre, tashmë ky ligj u njeh statusin të gjithëve. Unë do të thoja diçka që është e domosdoshme, që në legjislacione të tilla të ketë vëmendje më të veçantë, për shoqatat që punojnë në fushat e aftësive të kufizuara, si ato të vet personave me aftësi të kufizuara, edhe atyre të personave që punojnë me këta njerëz”, u shpreh zv/ministrja Kospiri.

Zëvendës/ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri, tha se nga ky projektligj, i cili është hartuar pas diskutimeve me ekspertët e huaj dhe vendas, do të ketë një shtrirje më të gjerë dhe do të ketë ndryshime edhe në përbërjen e komisioneve, që vendosin se kush duhet të marrë asistencë.

“Do të jenë të vlerësuara rast pas rasti personat me aftësi të kufizuara, jo thjesht të përfitojë nga të qenurit pjesë e një grupi, si para apo tetraplegjikët, të përfitojnë barazisht të gjitha të drejtat. Do të jenë rast pas rastit, sipas nevojave, pasi kemi raste që janë shumë të rënda, që mund të kenë nevojë për mbështetje më shumë nga ç’marrin sot, kemi edhe raste të tjera që mund të rishikohen dhe të çohen drejt mundësive të punësimit për t’i mbështetur më mirë”, shprehet më tej zv/ministrja Bardhylka Kospiri.

Por, ditën e hënë, personat me aftësi të kufizuara kanë paralajmëruar protesta para Kryesisë së Kuvendit, pasi sipas tyre ky projektligj i përjashton. Zëvendës/ministrja e Mirëqenies Sociale tha se në këshillin kombëtar, pesë vende do të përfaqësohen nga personat me aftësi të kufizuara.

“Në Këshillin Kombëtar për çështjet e aftësive të kufizuara, ku janë 5 vende ndër 17 anëtarë, janë përfaqësues të grupimeve të aftësisë së kufizuar. Ministri i Mirëqenies Sociale ka rolin e liderit, por nuk do të thotë që do të jetë ai, që do të përcaktojë çdo gjë lidhur me fondet, sepse kemi të bëjmë me një proces që quhet i mbrojtjes sociale, dhe një tjetër që quhet i përfshirjes sociale. Kjo e fundit është shumë e gjerë dhe ka nevojë për fondet e veta, që nuk mendohen të mbulohen vetëm nga Ministria”, shtoi më tej zv/ministrja Kospiri.

Deri më tani, çdo vit nga buxheti i shtetit shkojnë 19 milionë dollarë për 160 mijë persona me aftësi të kufizuara, edhe pse mendohet se numri është shumë i madh. Përmes këtij projektligji, synohet t’i jepet fund abuzimeve, ku ndihmën ekonomike dhe shërbimet i marrin jo gjithnjë ata që duhet.

Top Channel