Kallëzim i dytë për Dasho Alikon

20/07/2014 00:00

Përveç kallëzimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, policia referon një denoncim të dytë për kryekomunarin e Lazaratit, Dashamir Aliko, por kësaj radhe në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Emri i 55-vjeçarit Aliko, njëkohësisht banor në fshatin Lazarat, është kallëzuar së bashku me dy kryepleq për shpërdorim detyre, me dyshimet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka favorizuar situatën, në fshatin që u kthye në një mit për vite me radhë.

Kjo çështje është nën hetim nga prokurorët e Gjirokastrës, të cilët përpos veprimeve hetimore, pritet që ta thërrasin për ta pyetur kryekomunarin, ashtu sikundër do të bëjnë edhe prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilëve u janë lënë në tryezë materialet hetimore, për dyshimet se Aliko mund të ketë konsumuar veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese, të mbetur në tentativë”, “organizim dhe drejtimi i organizatave kriminale”, “moskallëzim krimi”, “përkrahje e autorit të krimit”, “forma të veçanta të bashkëpunimit”, por kjo dosje konsiderohet e vështirë për t’u hetuar, pasi prokurorët janë ende në kërkim të provave, me të cilat do të përfaqësonin akuzat para gjykatës.

Është kjo arsyeja që, megjithëse kanë kaluar ditë, prokurorët nuk kanë dalë ende para gjykatës për të kërkuar një masë sigurie, ashtu sikundër vepruan ndaj 7 personave të arrestuar për akuzën e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, të mbetur në tentativë”.

Jo zyrtarisht, mësohet se Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencën dhe i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Gjirokastrës 160 çështje që kanë lidhje me operacionin disaditor në Lazarat, për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje”, “prodhimit dhe kultivimit të kanabis sativës”.

Prej këtyre çështjeve, 32 janë për banorë të Lazararit, të arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Shtetit, për 43 persona të tjerë procedimi është në gjendje të lirë, ndërsa për 85 procedime të tjera nuk ka autorë apo emra konkretë.

Për procedimet pa autorë bëhet fjalë për rastet, kur armët janë gjetur të flakura në rrugë, apo kur droga është konstatuar se ishte mbjelle në tokën e fshatit dhe jo në tokë me pronar.

Nga ana tjetër, pritet që ekspertiza e qindra armëve të sekuetsruara në fshatin Lazarat të zgjasë të paktën mbi 1 vit, jo vetëm për shkak të numrit të madh të armatimit e municioneve, por edhe teknikave krahasuese që ndiqen nga policia shkencore, për të pasur një përgjigje nëse ky armatim është përdorur në kryerje krimesh të tjera, apo jo.

Top Channel