Mazhoranca qeverisëse nuk do të ndryshojë qëndrim për shtrirjen e Bashkisë së re të Himarës, pavarësisht kundërshtimeve të forta ditët e fundit nga PBDNJ-ja e Vangjel Dules.

Burime qeveritare pranë reformës territoriale i thanë Top-Channel se “qeveria është e vendosur t’i qëndrojë besnike variantit përfundimtar të përzgjedhur nga komisioni i posaçëm i reformës administrative, duke mos marrë parasysh kërkesat e Dules”.

Ky qëndrim i qeverisë, sipas po të njëjtit burim, argumentohet me faktin se “propozimet e qeverisë kanë rikthyer kufijtë 400-vjeçarë të krahinës autonome të Himarës”.

“Duke propozuar bashkimin e qytetit bregdetar me lumin e Vlorës, qeveria praktikisht tenton të mbyllë përgjithmonë rrugën e një konflikti të shoqëruar në heshtje, apo me përplasje të herëpashershme, gjatë dy dekadave të tranzicionit”, ka theksuar burimi qeveritar.

Gjatë takimit, të shtunën në Himarë, me Dulen dhe Bollanon, nuk kanë munguar si kundërshtitë e banorëve për bashkimin me Vranishtin, por edhe polemikat me karakter etnik.

Të tilla zhvillime e kanë kthyer Himarën në një provë të re force, mes qeverisë dhe aleatit të saj PBDNJ. Vera politike për Himarën sapo ka nisur dhe duket se do te jetë e nxehtë, për të paktën edhe disa ditë, me hapin e parë: votimin në Parlament të reformës territoriale.

Top Channel