Ermonela Jaho, ylli shqiptar i ‘Bel canto’-s, korr suksesin e radhës në Operën Mbreterore të Londrës me ‘La Boheme’ të Puccini-t, një produksion që këtë vit shënoi 40 vjetorin e vënies në skenë në kryeqytetin britanik.

Kjo vepër dhe Opera Mbretërore gëzojnë suportin financiar të një prej miliarderëve britanik Lordit John Sainsbury dhe gruas së tij Anya, të cilët pas njërës nga shfaqet e këngëtares shqiptare, e takuan në ‘backstage’ sopranon shqiptare.

Lordi Sainsbury i tha Jahos se “ka 40 vjet që vjen të shohë këtë produksion, që në premierën e korrikut të 1974 dhe asnjëherë nuk është emocionuar sa kësaj radhe”.

Ai ka folur edhe për kontributin e tij për ruajtjen e Butrintit dhe medaljen e marrë nga Presidenti Nishani, ndërkohë që sopranoja shqiptare i ka shprehur mirënjohjen e kombit të saj për kontributin e Lordit anglez për ruajtjen e trashëgimisë shqiptare.

Duke folur për Top Channel, sopranoja shqiptare me famë botërore tha se “Artisti ka gjithmonë privilegjin të udhëtojë në kohë dhe hapësira përmes personazheve që interpreton, por duke qenë pjesë e këtij produksioni 40 vjeçar mu dha mundësia të udhëtoj përmes botës së gjeneratave të ndryshme të artistëve që janë mishëruar mbi këtë vepër arti, përmes gjurmëve të personaliteteve të tyre”, u shpreh Ermonela Jaho.

Ndërkohë shtypi dhe kritika britanike kanë bërë vlerësime mjaft pozitive për rolin e sopranos shqiptare. Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” e Londrës, në një kritike artistike të vetën për La Boheme, shkruan për “butësinë dhe spiritualitetin e këndimit të Jahos në regjistrat e sipërm, duke të mbajtur të gozhduar në çdo frazë”.

Autori Martin Kettle shkruan se “të duhet të jetosh gjatë për të hasur një rol të Mimisë në këtë opër të luajtur nga Jaho, në mënyrë mjaft bindëse dhe inteligjente”.

Pas Londres sopranoja shqiptare hap sezonin operistik në Paris e më pas shkon në Moskë, në Teatrin Bolshoi, për ta mbyllur vitin në Vjenë.

Përmasa e re e karrierës artistike të Ermonela Jahos është përqendrimi i saj, së fundmi në promovimin e këngëtarëve të rinj shqiptarë në skenat botërore përmes lidhjeve dhe kontakteve të saj me boten artistike, si dhe koncertet e ardhshme për bamirësi që ajo do të organizojë së shpejti në Shqipëri.

Top Channel