Me ardhjen e stinës së verës, numri i aksidenteve rrugore shtohet ndjeshëm. Duke nisur nga Qershori, muaj kur edhe nis sezoni turistik, bilanci i aksidenteve që përgjakin rrugët shqiptare bëhet tragjik.

Të dhënat zyrtare tregojnë se një pjesë e madhe e aksidenteve rrugore vijnë si pasojë e shpejtësisë dhe sjelljes agresive në timon, që shkaktojnë 29% të vdekjeve dhe 32% të plagosjeve.

Shpejtësia në makinë nuk është vetëm e paligjshme, por edhe shumë e rrezikshme. Drejtuesit e mjeteve shpesh harrojnë limitet e shpejtësisë, duke e shtuar atë ndjeshëm për të mbërritur më herët në destinacion. Por, a është kjo zgjidhja?

Mitat Tola, drejtues i policisë rrugore Tiranë, ka thënë për “Kujdes në timon” në “Wake Up”, se shqiptarët e kanë qejf shpejtësinë në timon. Sipas tij, grupmosha më e predispozuar për të kaluar normat e shpejtësisë në makinë është ajo 18-24 vjeçare.

Ndërsa për ekspertin e sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, shqiptarët jo vetëm shpejtojnë gjatë kohës kur drejtojnë mjetin, por edhe nuk zbatojnë sinjalistikën rrugore, duke shkaktuar aksidente e humbje jetësh.

Duke rritur shpejtësinë tuaj me vetëm 5 km/orë në një rrugë urbane, dyfishoni probabilitetin për aksident. Të dhënat botërore tregojnë se ndër 3 aksidente fatale, 1 ndodh pikërisht për shkak të shpejtësisë.

Ndaj, kur të shkelni gazin e makinës, bëni mirë më parë të mendoheni 2 herë!

Top Channel