Dëmtimi i 3 urave të cilat lidhin rrugën me parcelat në fshatin Vreshtas është duke “mbajtur peng” bukën e dhjetëra familjeve të këtij fshati.

Pasi për vite të tëra janë lënë në harresë këto ura janë amortizuar dukshëm e më tej edhe skrapomanët kanë bërë punën e tyre duke u vjedhur hekurin çka i ka nxjerrë këto ura thuajse jashtë funksionit. Gjendja aktuale dhe rrezikshmëria që paraqesin këto vepra ka bllokuar punën për dhjetëra fermerë të zonës të cilët në asnjë moment nuk mund të kalojnë me mjete motorike në tokat e tyre për të marrë prodhimet.

Në kohën kur ata e kanë të domosdoshme që të kalojnë autokombajna për të korrur grurin kjo është e pamundur pasi gjendja e urave përbën rrezik në çdo moment ndërsa puna e një viti të dhjetëra familjeve rrezikohet.

Sipas banorëve, kjo gjendje vazhdon prej vitesh, por pavarësisht përpjekjeve të tyre dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë problemi vijon të mbetet i njëjti.

Top Channel