Katastrofat që tronditën “Malaysia Airlines”

21/07/2014 00:00

Fat i keq, apo një koincidencë e tmerrshme? Janë dy “Boeing 777”, në dy katastrofa të rralla ajrore, që brenda pak muajsh prekin të njëjtën kompani.

Çfarë po ndodh me “Malaysian Airlines”? Në fillim, zhdukja e mistershme e fluturimit MH370, Marsin e këtij viti, një episod akoma i pazbardhur. Pas kësaj, goditja e një avioni civil me raketë në Ukrainë, një tragjedi e tmerrshme që tronditi mbarë botën, ndërsa kompaninë e prekur, por dhe vetë Malajzinë, e shtyu drejt një tjetër skenari agonizues brengash, akuzash, vëzhgimi ndërkombëtar e ndërlikimesh serioze ligjore e diplomatike.

Kjo është një ditë tragjike në një vit tragjik për Malajzinë, pati deklaruar kryeministri Najib Razak, duke premtuar hetim rrënjësor, edhe pse në rrethanat ekzistuese gjërat nuk varen shumë prej qeverisë së tij.

Por, si mundet që të tilla fatkeqësi ajrore të godasin të njëjtën kompani brenda një kohe kaq të shkurtër? Secila nga të dyja ngjarjet ka në vetvete një probabilitet tmerrësisht të vogël që të ndodhë, thonë ekspertë si John Cox, president i “Safety Operating Systems”, ish-pilot dhe hetues aksidentesh ajrore.

Të kesh dy të tilla, në harkun kohor të pak muajve, është padyshim e paprecedent. Fatkeqësia e parë e la botën pa fjalë, ndërsa vetë “Maylaysia Airlines”-in, me një plagë të thellë. Si mund të zhdukej pa lënë gjurmë një avion modern “Boeing 777-200ER”?

Fluturimi MH370 devijoi nga kursi i rrugës për në Pekin e besohet të ketë rënë në Oqeanin Indian, pranë bregut perëndimor të Australisë, por deri tani nuk është gjetur asnjë copëz e tij. Nuk ka asnjë gjurmë nga avioni, e as nga 239 personat në bord. Se çfarë ndodhi, mbetet enigmë.

Për avionin tjetër “Boeing 777-200ER” nuk ka mister të këtij lloji. Mbetjet e tij dergjen në një fushë të Ukrainës. Avioni është qëlluar me raketë në 10,000 metra lartësi. Duke qenë se fluturonte mbi një zonë konflikti, nuk përjashtohet mundësia që të jetë shkëmbyer për ndonjë mjet ushtarak transporti.

Sidoqoftë, pavarësisht se sa dritë do të mund të hidhet mbi këtë incident, apo edhe atë të mëparshmin, “Malaysia Airlines”-it do t’i duhet shumë kohë dhe asnjë aksident tjetër, që të tregojë se nuk përndiqet nga fati i keq.

Top Channel