Mbështetja e biznesit agropërpunues

21/07/2014 00:00

Hiqmet Driza, prej 15 vitesh zhvillon biznes në fushën e përpunimit të mishit të shpendëve. Ai është njëri prej përfituesve të skemës mbështetëse të qeverisë në bujqësi, në zonën e Lushnjes, me vlerë 15 milionë lekë.

“Për ne është shumë efektive dhe shumë ndihmuese, pasi ne duhet të konkurrojmë tregjet ndërkombëtare, sidomos në këtë sektor kaq të rëndësishëm dhe kaq të vështirë, siç është bujqësia. Është oksigjen për bujqësinë dhe blegtorinë në këto momente të vështira që po kalojmë. Është një ndihmesë e madhe për biznesin, për të konkurruar, pasi nevojat e vendit janë 35-40%”, shprehet Hiqmet Driza.

Pas Shkodrës, Fierit dhe Korçës, kryeministri Edi Rama, së bashku me ‎ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, asistuan në firmosjen e kontratave me agro-përpunuesit lushnjarë, me një vlerë totale prej 135 milionë lekë.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo skemë është një shtysë e re për zhvillimin rural, duke i dhënë fund lëmoshave elektorale të së shkuarës, duke nisur së bashku një sfidë të re për fermerin shqiptar, atë të ciklit të mbyllur, në mënyrë që produktit t’i shtohet vlera për eksport, e nga ana tjetër rritet punësimi.

Rama e vuri theksin në rëndësinë që marrin të tilla aplikime, pasi BE – tha ai – alokon 47% të fondeve për bujqësinë dhe statusi i kandidatit na jep vetëm mundësinë, që ne të aplikojmë dhe të kërkojmë përmes projektesh, parà për të mbështetur bujqësinë shqiptare.

“Historia e përvitshme e aksesit në fondet e BE tregon se ato parà i merr kush është i përgatitur për t’i marrë. BE nuk fal asnjë qindarkë. BE i jep paratë bazuar në projekte, që mishërojnë ide të qarta, që kanë argumente bindës dhe që tregojnë nga fillimi në fund se çfarë do të ndodhë me çdo qindarkë. Dhe, për të realizuar projekte të tilla, ne duhet të jemi të përgatitur, duhet të kemi një përgatitje, që sot nuk e kemi. Ne nuk vuajmë sot për parà, ne vuajmë për projekte. Edhe BE nuk vuan për parà, BE vuan për projekte. Nuk janë paratë që mungojnë, janë projektet që mungojnë. Sa më shumë projekte të bëjmë dhe sa më me cilësi t’i bëjmë ato, aq më shumë rrisim shanset, që të rrisim të ardhurat për mbështetjen e bujqësisë. Kështu që është koha të investojmë për fushën, për prodhimin, por të investojmë edhe për dijen”, deklaroi kryeministri Rama.

Nga Lushnja, Rama deklaroi se qeveria ka rritur buxhetin e mbështetjes për bujqësinë në 70%, krahasuar me një vit më parë, dhe do ta rrisë vitin e ardhshëm për t’iu përgjigjur sa më shumë aplikimeve.

Hapet zyra e punës në Fier
Rama: 9 mijë vetë të punësuar në një kohë të shkurtër

Fieri bëhet qyteti i tetë në Shqipëri me një zyrë pune të rikonstruktuar. Ne, tha kryeministri Edi Rama në përurimin e saj, kemi arritur që ta trefishojmë numrin e personave në kërkim të punës që duan të mbledhin informacion, duke ndryshuar përbërjen e tyre dhe duke pasur një gamë të gjerë që shkon nga personat me aftësi të kufizuara deri tek ata me shkollë të lartë.

“Ne kemi arritur të kemi në librin e kontributeve të Republikës së Shqipërisë 43.795 punonjës më shumë. Janë vende të reja pune, janë edhe vende pune të formalizuara. Janë 9 mijë histori suksesi të personave që janë punësuar nga zyrat e punës. 7 zyra të tilla, në një periudhë kaq të shkurtër kohore, kanë arritur të punësojnë 9 mijë persona nga të gjitha shkallët e arsimimit, nga financierët tek ekonomistët, tek inxhinierët, tek rrobaqepësit, tek çentralistët, shoferët dhe tek profesione të tjera që janë kërkuar nga tregu i punës”, deklaroi Rama.

Rama pa nga afër ambientet e reja të kësaj zyre pune, duke zhvilluar një bashkëbisedim me punonjëset. 

Top Channel