Kontrolli mbi celularët e shqiptarëve

21/07/2014 00:00

Partia Demokratike ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një ankimim të veçantë, që nuk ka të bëjë me përditshmërinë politike, por që prek përditshmërinë e çdo qytetari.

Opozita pretendon se një vendim i qeverisë i jep asaj të drejtë të ketë akses në telefonët celularë të çdokujt që i përdor ata. Vendimi kërkon që çdo qytetar të deklarojë IMEI-n, numrin personal identifikues të celularit të vet, pranë kompanisë përkatëse celularë dhe të gjitha këto të dhëna do të ruhen në një server që do të menaxhohet nga Ministria e Financave.

Nëse qytetari nuk e rregjistron IMEI-n pranë kompanisë celulare, atëherë vendimi i qeverisë detyron shkëputjen e shërbimit. Sipas Partisë Demokratike, ky vendim shkel disa nene të Kushtetutës, Kartën europiane të të drejtave të njeriut dhe rikthen standardin e kontrollit të jetës private të qytetarit nga qeveria.

Në ankesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike shpjegon gjatë bazën ligjore për anti-kushteteueshmërinë e vendimit të qeverisë, duke thkesuar se nëpërmjet pasjes së IMEI-t dhe ruajtjes së të dhënave në një server të Ministrisë së Financave, qeveria ka akses të plotë, të pakufizuar dhe të pakontrolluar në çdo veprim të qytetarëve me celularin, mesazhe, biseda telefonike, Fb, Whatsapp, Viber dhe çdo aplkacion tjetër komunikues.

Në kërkesën e saj, Partia Demokratike sjell si shembull të ngjashëm vendimin e Gjykatës së Drejtësisë në Luksemburg, e cila hodhi poshtë si të pavlefshëm Direktivën e Bashkimit Europian që u kërkonte kompnaive celulare të ruanin të dhënat e IMEI-t.

Përveçse kërkon shpalljen si anti-kushtetues të vendimit të qeverisë, Partia Demokratike i kërkon gjykatës Kushtetuese pezullimin e menjëhershëm të çdo veprimi të qeverisë për zbatimin e vendimit të saj, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen në asnjë moment të deklarojnë IMEI-n e telefonit të tyre tek kompanitë celulare.

Top Channel