Një pjesë e mjekëve, duke përfituar dhe nga mungesa e tyre, kryesisht në zonat rurale, kanë mbetur me dijet e nxëna në universitet dhe nuk kanë punuar për t’u njohur dhe përvetësuar të rejat e shkencës së mjekësisë.

Prej 5 vitesh është kërkuar edukimi i vazhdueshëm i mjekëve, madje është përcaktuar dhe numri i krediteve që duhet të përmbushin, duke marrë pjesë në konferenca shkencore si brenda dhe jashtë vendit.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është treguar i ashpër sot, duke i paralajmëruar se do të shpallen vendet vakant të atyre që nuk kanë përmbushur kreditet deri në fund të vitit, pasuar kjo dhe me heqje licence.

“Me keqardhje konstatoj se kemi ende profesionistë pa as edhe 1 kredit, apo edhe shumë të tjerë me numër të pamjaftueshëm kreditesh, sipas atyre standardeve që janë të përcaktuara. Nuk do të lejohen të vazhdojnë të punojnë si mjekë, ata që nuk arrijnë të provojnë se bëjnë përpjekje për rifreskimin dhe përditësimin e dijeve dhe aftësive të tyre, aty ku ata punojnë. Për këdo mjek, që e shpërfill totalisht këtë lloj kërkese, që do të thotë se deri në fund të vitit do të rezultojë me zero kredite, masat do të jenë të menjëhershme efektive nga fillimi i vitit. Vendet e tyre të punës do të shpallen vakant nga drejtuesit e institucionit. Paralelisht, urdhrat profesionalë do t’ua pezullojnë licencën e ushtrimit të profesionit”, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga ana tjetër, Beqaj u kërkoi drejtuesve të spitaleve, që të planifikojnë fonde të veçanta për trajnimet apo për udhëtimet e mjekëve, që marrin pjesë në konferenca shkencore jashtë vendit.

“Meqë jemi në fazë buxhetimi, duhet të programoni për vitin e ardhshëm, brenda buxheteve tuaja, fonde për trajnimin, minimalisht fonde për të siguruar shpenzimet minimale të udhëtimit të mjekëve, kur ata e bëjnë jashtë vendit të banimit aktivitetin formues”, shtoi më tej ministri Beqaj.

Sipas një raporti të Urdhrit të Mjekut, 850 mjekë rezultojnë që kanë 0 kredite, pra nuk kanë marrë pjesë në asnjë konferencë, ndërkohë që të tjerë nuk e kanë përmbushur numrin prej 150 kreditesh, që duhej të plotësonin në 5 vjet duke marrë pjesë në konferenca shkencore, trajnime të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit.

Top Channel