MH17, ekspertët holandezë ekzaminojnë trupat

21/07/2014 00:00

Separatistët pro-rusë lejuan ekspertët mjeko-ligjorë holandezë që të këqyrin trupat e pajetë të tragjedisë së fluturimit MH17 të “Malaysia Airlines”.

Trupat e pajetë janë mbledhur në një tren në qytetin Torez. Tre ekspertët holandezë thanë se ata do të mund të zhvendosen në orët e ardhshme. 298 persona gjetën vdekjen nga rrëzimi i avionit Boeing 777 më 17 korrik.

Autoritetet ukrainase dhe perëndimi fajësojnë separatistët dhe Rusinë që i ka pajisur me raketa tokë-ajër të njohura si Buk. Shërbimi sekret ukrainas publikoi përgjimin e një bisede telefonike mes militantëve pro-rusë, që sipas Kievit vërteton se avioni është rrëzuar nga separatistët.

Shtetet e Bashkuara thonë se provat që përfshijnë tërthorazi Moskën në tragjedinë e “Malaysia Airlines” sa vijnë e përforcohen.

“Përgjimet e telefonatave zbulojnë se një sistem raketor rus “SA-11” është transferuar drejt rebelëve. Ka prova të jashtëzakonshme që tregojnë përfshirjen e Rusisë në furnizimin e tyre me këto sisteme, madje edhe trajnimin e njerëzve të tyre”, tha Sekretari i Shtetit John Kerry në një rrjet televiziv amerikan.

Provat që sipas Uashingtonit përfshijnë Rusinë në rrëzimin e avionit:

  – Fundjavën e kaluar Rusia dërgoi për separatistët një karvan pajisjesh ushtarake të përbërë nga 150 automjete duke përfshirë këtu tanke, transportues të blinduar personeli, artileri dhe granata-hedhëse të ndryshme si dhe trajnim mbi sistemet e mbrojtjes nga ajri.

 – Luftëtarët separatistë kanë shfaqur aftësi në sistemet mbrojtëse të raketave tokë-ajër si dhe kanë arritur të ulin më shumë se 12 avionë gjatë muajve të fundit, dy prej të cilëve avionë të mëdhenj transporti.

 – Në kohën që MH17 humbi kontaktet, shërbimet amerikane kapën një raketë tokë ajër (SAM), e cila u hodh nga një zonë e kontrolluar nga separatistët në jug-lindje të Ukrainës.

 – Komunikimet e Separatistë të postuara në YouTube nga qeveria ukrainase tregojnë se separatistët ishin të pajisur me sistemin e raketave tok-ajër që prej së hënës më 14 korrik.

 – Postime në mediat sociale të së enjtes tregojnë një sistem të raketave tokë-ajër që udhëtonin nëpër qytetet Torez dhe Snizhne të kontrolluara nga separatistët afër vendit të rrëzimit dhe vendi ku mendohet se është lëshuar raketa. Nga kjo vendndodhje ky sistem ka aftësinë e rrezes dhe lartësisë për të rrëzuar avionin MH17.

 – Forcat ukrainase nuk kanë hedhur asnjë raketë të vetme tokë-ajër gjatë konfliktit, pavarësisht ankesave për shkeljen e hapësirës së tyre ajrore nga vionët ushtarakë rusë.

 – Menjëherë pas rrëzimit, separatistët, përfshirë edhe Ministrin e Mbrojtjes së vetshpallur të Republikës popullore të Donetskut, Igor Strelkov, morën përsipër përgjegjësinë e rrëzimit të një a vioni ushtarak transporti në mediat sociale.

 – Në një bisedë të përgjuar, e cila është postuar gjerësisht në internet, një udhëheqës separatisti i njohur i tregon dikujt tjetër se avionin e rrëzoi një grup i vogël separatistësh. Pasi u mësua se avioni i përkiste një linje civile, separatistët fshinë postimet në mediat sociale në të cilat mburreshin për rrëzimin e një avioni dhe për sistemin e raketave që kishin.

 – Të dhënat audio që shtypa ka marrë nga shërbimi i inteligjencës ukrainase u vlerësuan nga analistë të komunitetit të inteligjencës, të cilët konfirmuan se ato ishin biseda autentike midis udhëheqësve të njohur separatistë bazuar në krahasimin e regjistrimeve audio të separatistëve të njohur, publikuar në internet nga Ukraina.

 – Video e postuar dje në mediat sociale shfaq një sistem të raketave tokë-ajër mbi një transportues, e cila udhënton nëpër Krasnodor për t’u kthyer në Rusi. Video tregon se sistemit i mungon të paktën një raketë, gjë e cila sugjeron se ajo është hedhur.

 – Ngjarjet pas rrëzimit në vendin ku ra avioni tregojnë qartë se ajo zonë kontrollohet plotësisht nga separatistët pro-rusë.

Top Channel