Obama: Putin të mos pengojë hetimet

21/07/2014 00:00

Në një deklaratë të re për shtyp, presidenti amerikan Barack Obama akuzoi Rusinë për ndikim negativ në Ukrainën lindore, në lidhje me krijimin e pengesave ndaj hetuesve ndërkombëtarë në vendin e rrëzimit të avionit.

“Kjo është një lloj sjelljeje që nuk ka vend në bashkësinë ndërkombëtare dhe që bën të dalin dyshime. Kjo ngre pyetjen: ‘çfarë saktësisht po përpiqet të fshehë Rusia me këto veprime?’ Fokusi ynë i menjëhershëm është të sigurojmë të gjithë se e vërteta dhe llogaridhënia ekzistojnë. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë tani. I kërkojmë presidentit Putin që të mos ndikojë në kontrollin e separatistëve të tij përgjatë kufirit me Ukrainën”, deklaroi Obama.

Megjithëse Putin ka thënë se ai mbështet një hetim ndërkombëtar, Obama kërkoi me insinstim bashkëpunimin e Rusisë. Zyrtarët amerikanë gjithashtu thonë se nuk ka gjasa që separatistët të kenë gjuajtur me raketë pa një urdhër nga Moska.

Në vijim pritet që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mblidhet në Nju Jork për të votuar mbi një rezolutë e cila bën thirrje për qasje të ndërkombëtareve në vendin e rrëzimit të avionit, si edhe për të vendosur një armëpushim rreth zonës.

Më herët presidenti ukrainas Petro Poroshenko urdhëroi forcat e qeverisë për të ndalur zjarrin të paktën në një vijë tokësore 40 km rreth zonës së aksidentit, në mënyrë që të mos pengohen hetimet.

Avioni, Rusia akuzon Ukrainën
“Avionin malajzian e ndiqte një gjuajtës ukrainas”

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se shërbimet ruse të monitorimit ajror kanë konstatuar një aeroplan ukrainas, i cili fluturonte në drejtim të avionit malajzian në datën e tragjedisë, 17 korrik.

Kjo deklaratë u përforcua nga kreu i Departamentit të Operacioneve Sekrete, Andrej Karatapolav, i cili shtoi se avioni ukrainas ndodhej në një distancë prej 3-5 km larg Boeingut 777.

“Ky objekt është vërejtur në mënyrë të vazhdueshme nga radarët për më shumë se katër minuta. Madje, në momentin e rrëzimit të MH17 një satelit amerikan ishte duke fluturuar mbi zonën lindore të Ukrainës, prandaj ne i bëjmë thirrje SHBA që të publikojnë fotot e kapura nga hapësira dhe të dhënat që ata zotërojnë”, deklaroi Karataplolav.

Sipas gjeneralit, avioni ka devijuar nga rruga e tij e fluturimit rreth 14 kilometra dhe u përpoq që të kthehej brenda kufijve të Ukraines para se të qëllohej.

Regjistruesi i fluturimit do t’i ndihmojë ata në sqarimin e shkakut të devijimit të Boeingut nga rruga kryesore, tha zyrtari i lartë i sigurisë ajrore.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai theksoi se Moska ka imazhe të cilat tregojnë qartë se mbrojtja ajrore e Ukrainës ishte vendosur në juglindje të vendit para verifikimit të aksidentit ajror.

Por të gjitha deklaratat, përfshirë dhe ato të palës ukrainase, pritet të konfirmohen nga ekipi i hetuesve ndërkombëtare që kanë zbarkuar në vendin e tragjedisë.

Rebelët pro-rusë i lejuan më në fund hetuesit holandezë që të ekzaminojnë trupa nga avioni i “Malaysia Airlines”. Deri tani është bërë i ditur lajmi se nga 295 viktima janë gjetur trupat e 272 prej tyre.

Nga ana tjetër, kryeministrja ukrainase thotë se Holanda duhet të kryesojë hetimin ndërkombëtar, duke qenë se kishte më shumë shtetas të saj në avion.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin thotë se është thelbësore dhënia e sigurisë dhe kohës ekspertëve ndërkombëtarë, në mënyrë që ata të mund të kryejnë një hetim të pavarur. Ndërkohë, luftime të ashpra raportohen në qytetin e Donjeckut, të zaptuar nga rebelët.

Top Channel