Izraeli godet spitalin, viktima

21/07/2014 00:00

Së paku pesë vetë janë vrarë dhe 70 janë plagosur nga një sulm izraelit ndaj një spitali në Gaza. Shumica e të plagosurve janë mjekë, bëjnë të ditur burimet e cituara nga mediat ndërkombëtare.

Dëshmitarët pohuan se në drejtim të godinës së spitalit janë lëshuar disa predha nga tanket izraelite. Televizioni palestinez ishte ai i cili tregoi pamjet e njerëzve të lënduar nga sulmet duke marrë shërbimin mjekësor.

Vetë Izraeli kishte paralajmëruar se trazirat do të nisnin sërish për t’u mbrojtur ndaj palestinezëve. Por presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në një bisedë me kryeministrin Benjamin Netanyahu i kërkoi atij të ndalë këto sulme, pasi bilanci i të vdekurve po rritet së tepërmi.

Por kryeministri izraelit u shpreh se i kishte thënë banorëve të zonës më herët që të largoheshin me qëllim mbrojtjen nga ofensivat. Ushtria izraelite shprehet e kënaqur pasi po realizon objektivat e saj që kishte shënjestruar.

Autoritetet pohojnë se, viktimat civile janë diçka e pashmangshme e tragjike dhe vetë Netanyahu theksoi se i vinte keq për çdo jetë të pafajshmë të humbur nga sulmet në Gaza. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka bërë po ashtu thirrje për një “ndërprerje të menjëhershme të konflikteve”.

Përpjekjet diplomatike me deklarata ndaj vendeve të përfshira në konflikt për t’i dhënë fund luftimeve janë intensifikuar, por mesa duket ndërkombëtarët nuk janë në gjendje për të vepruar.

Top Channel