Përpjekjet për paqe në Gaza

22/07/2014 00:00

Në shenjë të mbështetjes ndërkombëtare, si dhe për të diskutuar rreth propozimit të Egjiptit për armëpushim në konfliktin e Gazës, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, po zhvillojnë takime me palët në konflikt, me qëllim arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Kerry njoftoi se SHBA-të do të ofrojnë 47 milionë dollarë ndihma humanitare për në Gaza, “në përpjekje për të lehtësuar disa nga krizat e menjëhershme që kanë përfshirë terrenin”. Duke mbështetur iniciativën e Egjiptit për armëpushim, nga ana tjetër, Ban Ki-Moon theksoi:

“Unë jam duke kërkuar, që Hamasi të ndalojë hedhjen e raketave. Edhe pse unë e kuptoj pse izraelitët duhet të përgjigjen ushtarakisht, por ka një përpjestueshmëri të skajshme; shumica e numrit të të vdekurve janë palestinezë”, tha Ki-Moon.

Ndërkaq, në terren luftimet vazhdojnë dhe viktimat e fundit u shënuan në një spital në Gaza, ku pjesa më e madhe e personave, që humbën jetën dhe atyre që u plagosën, ishin mjekë. Pas këtij sulmi tragjik, një mjek norvegjez, i cili trajtoi të plagosurit e spitalit në Gaza, i drejtoi presidentit amerikan një letër të hapur për ndihmë, me titull: Z. Obama, a ke zemër ti?

“Z. Obama, të ftoj të kalosh një natë, vetëm një natë me ne, në Shifa. I maskuar si pastrues ndoshta. Jam i bindur 100%, se kjo do ta ndryshonte historinë. S’ka njeri me zemër dhe pushtet, që të kthehej nga një natë në Shifa, pa vendosmërinë për të ndaluar masakrën e popullit palestinez. Por, të pamëshirshmit i kanë bërë llogaritjet e tyre dhe lumenjtë e gjakut do të vazhdojnë dhe javën që vjen. E dëgjoj që i kanë ndezur sërish instrumentet e tyre të vdekjes. Të lutem bëj ç’të mundesh, por kjo nuk mund të vazhdojë”.

Teksa bisedimet vazhdojnë në Kajro, situata rëndohet më tepër në Gaza. Numri i viktimave i kalon 600, që nga përshkallëzimi i situatës. Shumica e tyre janë civilë të pafajshëm, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në konfliktin izraelito-palestinez.

Konflikti 2-javor ka lënë rreth 600 palestinezë dhe 29 izraelitë të vdekur. Në orët e para të së martës, Izraeli njoftoi se dy anëtarë të tjerë të Forcave Mbrojtëse ishin vrarë, duke e çuar numrin e ushtarëve të vrarë në luftime në 27. Dy civilë kanë vdekur gjithashtu. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 13 persona janë vrarë që prej mesnatës, duke e çuar bilancin e viktimave palestineze në 584, që kur Izraeli nisi operacionet ushtarake. I njëjti dikaster deklaroi gjithashtu se 3.640 persona të tjerë janë plagosur.

Zoti Kerry mbërriti në Egjipt të hënën, për të rritur përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike të krizës aktuale mes Izraelit dhe Hamas. Ai pritet të qëndrojë në Kajro të paktën deri të mërkurën. Ai i bëri thirrje Hamasit të vendosë të kursejë civilët e pafajshëm, një thirrje e bërë edhe nga shefi i Lidhjes Arabe, Nabil al Arabi, që tha se grupi duhet të pranojë propozimin egjiptian për t’i dhënë fund luftimeve.

Top Channel