Vrasje e pesëfishtë për një fejesë

22/07/2014 00:00

Pesë persona, anëtarë të familjes Vrapi në fshatin Sukë 2 të komunës Strumë të Fierit, mbetën të vrarë mëngjesin e së martës me një armë gjahu.

Autori i vrasjes është 73-vjeçari Bajram Vrapi, i cili nuk ishte dakort me fejesën e mbesës së tij, 17-vjeçares Merushe Vrapi. Në orët e para të ditës së sotme, prindërit e vajzës po përgatiteshin për fejesen e saj.

Xhemal dhe Drita Vrapi ishin në shtëpi kur xhaxhai i vajzës shkoi dhe kërkoi llogari se përse nuk e kishin pyetur për këtë fejes.

Përgjigjia e vajzës se, as xhaxhai s’kishte pyetur vëllain për vajzat e tij e ka acaruar 73-vjeçarin, që ka marrë një armë gjahu në shtëpi dhe ka qëlluar mbi vëllezërit e tij Xhemal Vrapi 69 vjeç dhe Besim Vrapi 60, duke i vrarë në vend.

Më pas ai ka vrarë edhe Drita Vrapin, 43 vjeçe dhe mbesen Merushe. Vajza, e cila nesër do të fejohej, është qëlluar me armën e gjahut.

Autori ka vrapuar në përpjekje që të largohet dhe sipas policisë është fshehur në një zonë të mbjellë me misër. Policia e ka rrethuar për ta kapur dhe i ka bërë thirrje për dorëzim, por 73-vjeçari ka qëlluar veten me armën e krimit.

Banorët e fshatit, të tronditur nga ngjarja e rëndë, konfirmojnë konfliktin për fejesën e vajzës. “Nga fejesa e mbesës, se e kishte në emrin e nënës. Mbesa e ndihmonte atë. Ajo jetonte në banesën e saj, por në mëngjes zgjohej dhe shkonte e ndihmonte me lopët e të tjerat. S’ka më pjesëtarë të familjes. Janë shuar të tre vëllezërit”, thotë një prej tyre.

17-vjeçarja, sipas dëshmitarëve, kujdesej për familjen e xhaxhait të madh, i cili jetonte me bashkëshorten. Policia ndërkohë ka shoqëruar disa persona për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Top Channel