Kinë-Venezuelë, marrëveshje për naftën

22/07/2014 00:00

Presidenti kinez Xi Jinping ka nënshkruar në Venezuelë një seri marrëveshjesh për naftën dhe mineralet.

Mes tyre përfshihet edhe një kredi prej 4 miliardë dollarësh në këmbim të naftës venezueliane dhe produkteve të tjera të vendit latin. Marrëveshjet janë nënshkruar në ndalesën e radhës të vizitës së Xi në Amerikën Latine.

Presidenti kinez më herët ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme me Argjentinën dhe Brazilin, ndërkohë që pas Venezuelës do të vizitojë Kubën, ku do të takohet me presidentin Raul Castro.

Në Argjentinë, lideri kinez ra dakord për një shkëmbim prej 11 miliardë dollarësh për të përmbushur nevojën për para të qeverisë së presidentes Cristina Fernandez de Kirchner. Argjentina ka mbetur e bllokuar jashtë tregjeve ndërkombëtare financiare që nga falimentimi i saj si shtet në vitin 2001.

Kreu i shtetit kinez ndihmoi gjithashtu në hapjen e një banke të re zhvillimi bashkë me vendet e tjera anëtare të të ashtuquajturit grupi BRICS, ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.

Banka e re synon të krijojë një institucion financiar alternativ ndaj Bankës Botërore të dominuar nga Perëndimi. Shkëmbimet tregtare mes Kinës dhe Amerikës Latine janë rritur ndjeshëm.

Aktualisht vendi aziatik është partneri i dytë kryesor i Argjentinës dhe Kubës, ndërsa që prej vitit 2009 është i pari i Brazilit. Gjithashtu, Kina është tregu i dytë më i madh i naftës venezueliane pas Shteteve të Bashkuara.

Analistët deklarojnë se qëllimi i vizitës ka qenë sigurimi i më shumë burimeve natyrore nga vendet latine për të furnizuar ekspansionin ekonomik afatgjatë kinez.

Top Channel