Britania rihap hetimet për rastin “Litvinenko”

22/07/2014 00:00

Sekretarja e Punëve të Brendshme të Britanisë, Theresa May ka njoftuar hapjen e një hetimi të ri mbi vdekjen e disidentit rus Alexander Litvinenko.

Litvinenko, një ish-oficer i KGB-së, vdiq në vitin 2006 në një spital të Londrës pasi dyshohet se u helmua me lëndën radioaktive Polonium 2010. Hetimet e reja pritet të verifikojnë nëse shteti rus ishte prapa kësaj vrasjeje.

Sekretarja May e njoftoi vendimin me publikimin e një deklaratë të shkruar në Parlamentin britanik. “Shpresoj që ky njoftim të ngushëllojë sado pak të venë e Litvinenkos”, tha zyrtarja e lartë e qeverisë.

Njoftimi vjen pasi qeveria më parë u kishte rezistuar thirrjeve për një hetim publik, duke thënë se më parë duhej parë se çfarë do të nxirrte hetimi gjyqësor.

Gjithësesi, në vitin 2013 një komision vendosi se një hetim publik, që do të kishte më shumë kompetenca, duhej ngritur për të përcaktuar se si vdiq zoti Litvinenko.

Megjithatë, ministrat refuzuan të ndërmerrnin një nismë të tillë, gjë që solli një sfidë gjyqësore të hapur nga bashkëshortja e Litvinenko, Marina.

Ajo tha se, vetëm një hetim publik do të mund të zbulonte rolin e supozuar të shtetit rus në vdekjen e të shoqit në vitin 2006, nga helmi radioaktiv.

Në shkurt, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se Ministria e Brendshme kishte gabuar me vendimin për të përjashtuar hetimin publik para zbardhjes së rezultateve të hetimit gjyqësor.

Top Channel