LSI kundër shkrirjes së Gardës

22/07/2014 00:00

Projekti-ligji për Policinë e Shtetit ka ndarë deputetët e Partisë Socialiste dhe të LSI-së gjatë punimeve në Komisionin e Ligjeve të martën.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho doli haptazi kundër projekt-ligjit të paraqitur nga Ministria e Brendshme, duke u pozicionuar vecanërisht kundër dy propozimeve, atij që shkrin Gardën e Republikës dhe tjetri që parashikon ngritjen e Byrosë Hetimore.

Rezerva për projekt-ligjin u shfaqën edhe vetë brenda socialistëve.

Dy ditë më parë, projektligji për “Policinë e Shtetit” u kundërshtua gjithashtu edhe nga Sindikata e Policisë, sipas të cilës projektligji cenon të drejtat e efektivëve. “Tërheqim vëmendjen e dy strukturave ndërkombëtare, që janë të atashuara pranë Policisë së Shtetit, PAMECA IV dhe ICITAP, të cilat nuk duhet të kishin dhënë pëlqimin e tyre për ligjin e ri të policisë, pa u konsultuar me sindikatën, ndërkohë që kanë qenë në dijeni për marrëdhëniet e ngrira ndërmjet nesh dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, vëren Sindikata e Policisë.

Me këto zhvillime të reja duket se ligji i ri për Policinë e Shtetit nuk do të miratohet në seancë plenare këtë sesion parlamentar, ashtu sikundër ishte propozimi i Ministrisë së Brendshme.

Top Channel