Greqia është vendi me probabilitetin më të lartë të falimentimit në botë, vlerëson në raportin e fundit Blackrock, kompania globale për menaxhimin e investimeve që ofron udhëzime për individët, institucionet dhe profesionistët financiarë.

Kështu, sipas raportit, Greqia është vendi që rrezikohet më shumë se kushdo tjetër për të falimentuar në baze të indeksit “Sovereign Risk” të kompanisë.

Ky indeks është themeluar përmes analizës së matjeve sasiore në katër kategori kryesore: marzhi financiar (40%), vullneti për pagesën e borxheve (30%), pozicioni i jashtëm financiar (20%) dhe gjendja e sektorit financiar (10%).

Raporti i publikuar orët e fundit përmbledh tremujorin e dytë të këtij viti dhe në listën e vendeve me probabilitet më të lartë të falimentimit pas Greqisë renditen: Venezuela, Egjipti, Ukraina, Portugalia, Argjentina, Italia, Sllovenia, Hungaria dhe Irlanda.

Nga ana tjetër, sipas të njëjtit indeks, Norvegjia renditet e para, me rrezikun më të ulët të falimentimit dhe ndiqet në dhjetë vendet e para nga shtete më të sigurta për investitorët si: Singapori, Zvicra, Suedia, Gjermania, Tajvani, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia.

Në krahasim me raportin e kaluar Brazili ka humbur katër vende për shkak të një rritjeje të borxhit afatshkurtër të vendit, ndërsa Rusia ka rënë tre pikë më poshtë për shkak të reduktimit të efikasitetit qeverisës dhe rënies së premisave për zhvillimin e ekonomisë.

Gjithashtu, nga vendet që kanë humbur shumë pikë në klasifikim është edhe Argjentina, pasi FMN-ja ka ulur në mënyrë dramatike perspektivat për rritjen ekonomike të vendit dhe qeveria ende nuk po gjen mundësinë e negocimeve për ristrukturimin e borxheve të marra në vitet 2005 dhe 2010.

Top Channel