Kurdët marrin zonat e naftës nën kontroll

22/07/2014 00:00

Marrja nën kontroll e dy zonave të mëdha të naftës, në Kirkuk, nga luftëtarët kurdë, në Irakun e veriut, do të ndihmojë rajonin e tyre, në pjesë të madhe autonom, të përballojë vetë nevojat e energjisë, e shihet si një tjetër hap i qeverisë rajonale të Kurdistanit drejt pavarësisë.

Objektet e naftës ishin braktisur nga forcat irakiane pas avancimit të militantëve të ISIS-it. Sipas VOA-s, katër përqind e rezervave të njohura të arit të zi në botë gjenden pikërisht nën zonat ranore të Kirkuk-ut, një pasuri të cilën kurdët përpiqen prej kohësh ta vënë nën kontroll.

Rasti i shumëpritur erdhi në 11 Korrik, kur duke përfituar nga boshllëku i sigurisë, luftëtarët Peshmerga morën në duart e tyre dy fusha të rëndësishme naftëmbajtëse.

Kurdët e Irakut janë të bindur se rajoni i tyre autonom në veri do t’i plotësojë vetë nevojat me energji deri në fund të vitit. Sipas zyrtarëve vendas, të gjitha të ardhurat nga nafta duhet të kanalizohen përmes qeverisë qendrore.

Me marrjen e fushave të naftës, ata planifikojnë zgjerimin e prodhimit, si dhe ngritjen e disa rafinerive, më e madhja nga të cilat do të jetë në Dohuk.

Vështirësinë kryesore do ta përbëjë gjetja e blerësve. Falë një gazsjellësi të ri të ndërtuar në muajin Maj, i cili lidh Kirkukun me rrjetin e Kurdistanit deri në Turqi, qeveria rajonale shpreson të eksportojë 400 mijë fuçi nafte në ditë, deri në vitin 2015.

Kurdët e kanë konsideruar prej kohësh qytetin e pasur me naftë, pjesë të atdheut të tyre, e tani, fushat e tij po i shohin gjithmonë e më shumë si themelin ekonomik për të ardhmen e shtetit kurd.

Top Channel