Topi: Reforma, edhe pa opozitën

22/07/2014 00:00

Ish-presidenti Bamir Topi e quan absurd konsiderimin minoteritet të Himarës.
“Reforma në drejtësi duhet të jetë e thellë”

“Unë e konsideroj një pozicion absurd, atë të të gjithë atyre që konsiderojnë ta trajtojnë Himarën si qendër administrative minoritare. Himara është një krahinë e Shqipërisë dhe, unë mendoj se askush nuk duhet ta ushqejë më këtë lloj debati”, u shpreh Bamir Topi.

Kreu i FRD-së dënon atë që e cilëson “neglizhencë” të opozitës për të marrë pjesë në këtë reformë kaq të rëndësishme për qytetarët.

“Nga ata tjetër, ne mendojmë se edhe ata që janë në mazhorancë duhet të shkojnë deri në fund të këtij procesi, pa u kompleksuar nga mospjesëmarrja e opozitës. Tek e fundit ftesat janë bërë, njerëzit në rast se nuk marrin pjesë dhe mbajnë një pozicion kapricioz, atëherë ky është një problem i tyre”, vijoi më tej ish-presidenti Topi.

“Reforma në drejtësi duhet të jetë e thellë”

Topi: Ka njerëz që janë të painteresuar, 21 Janari është në Parlament sot

Ish-kreu i shtetit, nga ana tjetër, nuk beson te vullneti i palëve për të kryer reformën në drejtësi.

“Absolutisht nuk kam as minimumin e besimit, që ky Parlament të mund të bëjë reformën për drejtësinë. Janë njerëz që kanë interesa të caktuara brenda atij Parlamenti. E dimë shumë mirë që ka njerëz të cilët, qoftë në të kaluarën, por edhe sot, kanë ende peshën e mjaft problemeve që i lidh me drejtësinë. Mjafton të them se ‘21 Janari’ është brenda, gjë që do të thotë se njerëz, që janë të kompleksuar nga kjo punë, përfshi edhe klimën politike që mbizotëron brenda Parlamentit, më bëjnë të besoj se nuk ka absolutisht asnjë lloj shansi, që këta të bëjnë reformë në drejtësi”, deklaroi ish-kreu i vendit.

Ish-presidenti Topi thotë se reforma në drejtësi nuk duhet të bëhet me ndërhyrje segmentare. Për të qenë e plotë, duhet të bëhen edhe ndryshime kushtetuese dhe metodika e kësaj reforme – shton ai – duhet të bëhet nga juristë ndërkombëtarë.

Megjithëse nuk dëshiron të analizojë sjelljen institucionale të pasardhësit të tij, në konfliktin për drejtësinë, ai thotë se asnjë palë nuk duhet të mërzitet, pasi presidenti aktual është produkt partiak, si shkak i ndryshimeve kushtetuese të miratuara me konsensus nga dy partitë e mëdha, dhe si i tillë do të jetë i paragjykuar.

Megjithatë, ish-presidenti Bamir Topi shton se raporti i Nishanit me mazhorancën aktuale nuk është fare i ngjashëm me sjelljen e ish-kryeministrit Berisha, ndaj tij si president.

“Raporti që kam pasur unë me mazhorancën ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, ndërsa ky i sotmi më duket si një raport më elegant, më qytetar, dhe me pak vullnet, qoftë mazhoranca, qoftë presidenti, mund të jenë zgjidhje racionale për interesat e Shqipërisë”, përfundoi Bamir Topi.

Top Channel