Debatet për projektligjin e PAK-ut

22/07/2014 00:00

Janë rreth 39 mijë persona të moshës mbi 15 vjeç që nuk dëgjojnë të cilët do të përfitojnë për herë të parë nga kuadri i ri ligjor për personat me aftësi të kufizuar.

Drejtori i shoqatës kombëtare të personave që nuk dëgjojnë, Florjan Rojba, tha se për herë të parë, këtyre personave të cilëve shteti i siguron vetëm arsim 9-vjeçar dhe asnjë mundësi tjetër për t’u integruar në shoqëri, mund të kenë një interpret, pagesa e të cilit do të përballohet nga buxheti i shtetit: “Për herë të parë përfshihen personat që nuk dëgjojnë në grupin e personave me aftësi të kufizuara. Ofron aksesueshmërinë dhe shërbimin e interpretimit në gjuhën e shenjave. Aksesin në informacion për njerëzit që nuk dëgjojnë duke i barazuar ata me njerëzit që dëgjojnë në mënyrën e komunikimit. Përfitimet financiare do të jenë të barabarta me kategoritë e tjera të personave me aftësi të kufizuara.”

Florjani i cili sapo është diplomuar në Universitetin e Elbasanit për Shkenca Sociale, tha se ky ligj i hap atyre një dritare të re për t’u mbështetur nga shteti, por edhe për t’i hapur rrugë mundësive të punësimit: “Aktualisht nuk kemi një status dhe ky është momenti që ne të barazohemi me një ligj gjithëpërfshirës për të përfituar të drejtat tona dhe mendoj që ky ligj nuk cënon statuset e tyre, por krijon mundësi për një jetë të pavarur. Njerëzit që nuk dëgjojnë do të marrin ndihmën e tyre, pra pagesën e aftësisë së kufizuar, ndërkohë që do të kenë edhe pagesë tjetër në momentin që nuk do të jenë të punësuar.”

Personat që nuk dëgjojnë, para viteve ‘90 shteti u mundësonte dhënien e zanateve e më pas punësim. Por, gjatë këtyre 24 viteve këta persona dhe familjarët e tyre janë detyruar të izolohen dhe të përballen me vështirësi që në botën e qytetëruar janë kapërcyer shumë dekada më parë.

Top Channel