Zyrtare, James është i Realit

22/07/2014 00:00

James Rodriguez është zyrtarisht lojtar i Realit të Madridit. Kolumbiani i cili shkëlqeu në Botërorin e zhvilluar në Brazil do të mbajë veshur fanelën me numrin 10, aq të dëshiruar nga futbollistët.

Lajmin e bëri të ditur klubi madrilen me anë të një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të internetit: “Real Madrid C.F. dhe AS Monaco kanë arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit James Rodriguez, i cili do të luajë me Realin në gjashtë sezonet e ardhshme.”

Sulmuesi do të përfitojë 5 milionë euro në sezon dhe është blerë nga Monakoja për 80 milionë euro. James Rodriguez u shpall golashënuesi më i mirë i Botërorit me 6 gola dhe një nga këta gola, ai ndaj Uruguajit, është cilësuar si më i bukuri i turneut.

Top Channel