Të bllokosh një rrugë për ta shndërruar në një festë. Ishte radha e rrugës “Kont Urani” për t’u kthyer në një skenë, ku këndohet dhe kalohet një mbrëmje e gëzueshme.

Në ditëlindjen e shkrimtarit Ernest Heminguej, adhuruesit e tij organizuan një nga ato që njihen si “festa në rrugë”. Gjithçka, për të kujtuar Heminguejn e për të festuar si ai. Nuk munguan as dhuratat e frymëzuara nga shkrimtari, si portreti i Heminguejt punuar me mjeshtëri nga Besart Papa.

Festat në rrugë janë një nga gjërat më të mira të destinacioneve turistike. Ato janë një përzierje perfekte e gjërave më të mira, që një turist kërkon. Spektakël, muzikë, ushqim vendas, argëtim, dramë, e madje edhe ndonjë romancë, nëse di të luash letrat mirë.

Janë me mijëra festa rruge që zhvillohen çdo vit nëpër botë dhe, shumë prej tyre janë të lidhura me karnavalet apo festivalet. Por, nëse dëshironi të merrni pjesë në një festë rruge jashtë Shqipërisë, ja disa rekomandime.

1. Karnavalet e Rio de Janeiro, në Brazil

Karnavalet në Rio konsiderohen si festa më e madhe në botë që zhvillohet në rrugë, me më shumë se 2 milionë pjesëmarrës. Femra të bukura, kërcime Samba dhe argëtim pa fund. Një festë joshëse për të gjitha shqisat.

2. Oktoberfest në Mynih, Gjermani

Fillimisht një garë vjetore me kuaj, Oktoberfest ka ndryshuar mënyrën e festimit, duke u shndërruar në fillimet e viteve 1900 në atë që njihet sot “Festa e Birrës”. Më shumë se 6 milionë njerëz shkojnë në Mynih, për të pirë birrë e për të kaluar kohën gëzueshëm.

3. Mardi Gras, në New Orleans, SHBA

New Orleans është një vend, ku janë të përzier njerëz nga kultura të ndryshme dhe, të gjithë bashkë festojnë në rrugë diversitetin në festivalin vjetor të Mardi Gras. Ngjyrat janë nga më të ndryshmet, si lejla, e gjelbër apo floriri, për të pasur një veshje, e cila përcjell drejtësi, fuqi dhe besim. Gjatë ditës gjithnjë e më shumë gra shkëmbejnë rruaza apo aksesorë të tjerë.

4. Karnavalet e Bazelit, në Zvicër

Imagjinoni një kuti gjigante lodër, e kthyer përmbys, në mes të një qytetit të çuditshëm zvicerian. Tani imagjinoni mijëra kostume të frikshme, festa pa fund të rrugës dhe muzikë e lartë. Kjo është ajo çfarë ofrojnë Karnavalet e Bazelit në Zvicër. Festimet fillojnë në 4 të mëngjesit, ditën e hënë, kështu që duhet të jeni të përgatitur për të ndryshuar rutinën tuaj të gjumit.

5. Festivali i ngjyrave, në Indi

Festivali i ngjyrave, i quajtur Holi nga vendasit indianë, është i bazuar në traditat fetare, që datojnë qindra vjet më parë. Fokusi është të shijosh ngjyrat me pjesëmarrësit, duke hedhur duart e mbushura me bojë pluhur. Rrethinat e mbuluara nga zymtësia transformohen në një protestë ngjyrash, ku nuk mungon as muzika dhe ushqimi vendas. Nëse vendosni të shkoni, mos harroni të merrni me vete ilaçe për diarrenë, sepse sistemi ynë imunitar nuk është si i vendasve.

6. Karnavalet e Venecias

Karnavalet e Venecias janë të famshme për maskat e bukura të bëra prej lëkure, porcelani apo qelqi. Anonimati i fshehur pas një maske të çon në një argëtim të shfrenuar, duke festuar në një atmosferë që nuk e gjen askund tjetër. Karnavalet e Venecias janë shumë popullore edhe për aspektin e tyre romantik, dhe jo pak njerëz aty e kanë gjetur dashurinë e jetës së tyre.

7. Festivali ndërkombëtar i teatrit në rrugë dhe artit Aurillias, në Francë

Ky është një festival që duhet ta shikojë çdo tifoz i perfomancës në rrugë. Artistë dhe performues shumë të mirë dhe inovativë nga e gjithë bota, për të ndarë eksperiencat e tyre. Përveç artistëve tradicionalë të rrugëve, ju mund të shikoni mbi një mijë shfaqje të tjera.

Top Channel