“Malaysia Airlines” zgjedh Sirinë pas Ukrainës

22/07/2014 00:00

“Malaysia Airlines” ka ridizenjuar kursin e një fluturimi nga Kuala Lumpur, duke udhëtuar mbi hapësirën ajrore të Sirisë, në vend të asaj mbi Ukrainë, pas mbylljes së kësaj hapësire me rrëzimin e fluturimit MH17.

Shërbimi suedez i gjurmimit të fluturimeve “Flightradar24 AB”, publikoi një hartë fluturimi në rrjetin social Twitter, duke treguar ndryshimin e kursit të fluturimit MH4 të “Malaysia Airlines”, i cili ishte nisur drejt Londrës.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimit tregojnë se në udhëtimet e mëparshme, ky fluturim bëhej mbi Ukrainën lindore.

Siria është gjithashtu në një situatë lufte civile, gjatë së cilës kanë vdekur mbi 170 mijë njerëz që prej vitit 2011.

Lëvizja kontroverse vjen menjëherë pas rrëzimit të avionit të fluturimit MH17, të enjten, nga një raketë tokë-ajër në Lindje të Ukrainës. Të 298 pasagjerët dhe ekuipazhi në bord mbetën të vdekur.

Që prej atëherë, linjat ajrore janë këshilluar të shmangin hapësirën ajrore të Ukrainës, në atë pjesë ku ushtria ukrainase po lufton ndaj rebelëve pro-rusë.

Fredrik Lindahl, shefi ekzekutiv i “Flightradar24 AB”, tha se ishte thuajse e pazakontë që fluturimet ndërkontinentale të kalonin mbi Siri. “Në Irak, gjithmonë mund të shihni avionë që fluturojnë në hapësirën e tij ajrore. Nuk ka mundësi tjetër për të aksesuar pjesë të Lindjes së Mesme, se sa të përdorësh kursin mbi Irak”, tha ai.

“Por, mbi Siri nuk është parë të kalohet shpesh. Nuk kemi parë asnjë fluturim tjetër ndërkontinental që të kalojë mbi hapësirën ajrore siriane gjatë ditës së hënë”.

Ekspertët e aviacionit thonë se qeveritë duhet të ngrihen e të vendosin se cilat hapësira ajrore janë të sigurta për linjat e vendeve të tyre ajrore, në mënyrë që të vendosen mbi fluturimet e ardhshme.

Ndërkohë që “Malaysia Airlines” mbron zgjedhjen e bërë së fundi, me justifikimin se Siria është “zonë fluturimi e miratuar”, Shtetet e Bashkuara sugjerojnë fuqishëm të gjitha linjat ajrore që të shmangin fluturimet mbi Siri.

Top Channel