Filmat e verës, ofertat dhe dhuratat surprizë të rrjetit të kinemave Imperial

22/07/2014 00:00

Një lajm i mirë për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të udhëtojnë për pushime në bregdet dhe duhet ta kalojnë verën në Tiranë. Është koha kur shtëpitë kinematografike nxjerrin filmat më të mirë.

Dhe tashmë dihet, rrjeti i kinemave Imperial sjell në vendin tonë, në të njëjtën kohë, premiera që shihen paralelisht në sallat amerikane apo europiane.

Altin Prifti, drejtor i përgjithshëm i “Rrjetit të kinemave Imperial” thotë se zhanret janë nga më të ndryshmet.

“Kemi mbi 20-22 premiera në harkun e 6 javëve. Do të kemi mbi 50% të filmave të zhanrit komedi, gjithashtu një pjesë e tyre do të jenë të zhanrit animacion, si premierat e ‘Ëalt Disney-t’, por edhe filma të tjerë. Për momentin kemi ‘Planes 2’ dhe në fund të korrikut do të kemi ‘Gardens of Galaxy’”, shprehet Altin Prifti.

Ata që duan të qeshin mund të zgjedhin komedi të kombinuara me aksion, si në filmat “Lets be cops”, “22 jups street”, “Ninja Turtles”. Por, nëse s’duan të impenjohen me shumë aventurë dhe histori mund të shohin “Instuctions Not Included”, “Chef” apo “Search party” and “So it goes”.

Sigurisht, nëse kërkoni drithërima, mund të gjeni filma horror apo thriller, si “Deliver Us From Evil”, “November Man” apo “The Equalizer”.

Ndërkohë, kinemaja padyshim që ka krijuar dhe shumë hapësira dhe për fëmijët. Animacione në 3D, si “Escape of planet earth”, “Planes 2”, “Postman Pat”, “Legends Of Oz: Dorothy’s Return”, janë vetëm disa nga premierat që mund t’u dhurojnë të rriturve dhe fëmijëve argëtim pa fund dhe për më tepër me shumë pak shpenzime.

“Në rrjetin Imperial, argëtimi do të jetë i garantuar, pasi këtë verë ne kemi vendosur që t’i hapim dyert me të dy kanatet, sepse kemi një ofertë shumë të mirë dhe të pëlqyeshme. Kemi disa vite në fakt që e aplikojmë një ofertë të tillë: Duke blerë një biletë, përfitoni një falas”, shtoi më tej Prifti.

Veç ofertave, s’do mungojnë edhe surprizat.

“Një nga veçantitë do të jetë edhe ofrimi i sendeve të ndryshme promocionale, të cilat vijnë drejtpërdrejt nga studiot e prodhimit të filmave, si Disney, Paramount Pictures. Për këtë qëllim do të organizojmë shorte me njoftime përkatëse, nga personeli ynë nëpër sportelet e rrjetit Imperial. Do të jetë vërtet një verë me dhurata, argëtim dhe shumë surpriza”, tha Prifti.

Pasdite të kaluara bukur, që përveç argëtimit dhe emocioneve, me siguri do bëjnë atë çfarë shpesh bën më së miri kinemaja: të na mbledhë e të ndajmë kohë cilësore me miqtë e njerëzit e dashur të zemrës.

Top Channel