Minoritarët kundërshtojnë hartën e re

22/07/2014 00:00

Katër komuna me shumicë të popullsise minoritare kanë kundërshtuar draftin e reformës territoriale që shkëput 8 fshatra nga këto komuna, territore që sipas draftit aktual do të bashkohen me bashkitë e Sarandës, Delvinës dhe Konispolit.

Ka qenë vendimi i të gjitha partive politike të përfaqësuara me këshilltarë në këto komuna dhe këto njësi vendore që kanë kundërshtuar me një peticion drejtuar të gjithë institucioneve kryesore shqiptare  vendimin për ndarjen administrative. Peticioni është nënshkruar nga krerët e këshillave të komunave Finiq, Mesopotam, Livadhja e Aliko në Sarandë.

Themistokli Kaishi, kreu i Komunës Mesopotam, thotë: “Sipas projektit të fundit të komisionit të ndarjes së re administrative, tre fshatrat e komunës së Mesopotamit shkëputen nga komuna jonë dhe i kalojnë Bashkisë së Delvinës. Këto janë tre fshatra që i përkasin minoritetit etnik grek dhe Këshilli i Komunës ka marrë një vendim që këto tre fshatra të mos shkëputen.”

Ndërsa Harallamb Pandehi, kreu i PBDNJ-së Sarandë, shpjegon: “Këshillat e komunave tona, me unanimitet të plotë, vendosën ta kundërshtojnë këtë propozim të komisionit parlamentar për reformën territoriale pasi cënon të drejtat themelore të minoritetit dhe kriteret bazë mbi të cilën është ndërtuar kjo reformë.”

Fshatra të tilla si Cuka, Sopiku, Shijani apo Pandalejmoni, me popullsi dërrmuese shqiptare, nuk kanë shfaqur ndonjë reagim për ndarjen e re territoriale.

Top Channel