Linjat ajrore pezullojnë fluturimet në Izrael

23/07/2014 00:00

Situata e tensionuar mes Izraelit dhe Palestinës i ka detyruar linjat ajrore amerikane dhe europiane të pezullojnë fluturimet në aeroportin “Ben Gurion” të Izraelit. Gjatë së martës një raketë ra vetëm 1.6 kilometra larg aeroporti.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA urdhëroi tre kompanitë amerikane, ‘Delta’, ‘United’ dhe ‘USA Airëays’ të pezullojnë fluturimet për 24 orë në këtë shtet.

Gjithashtu edhe rregullatori i aviacionit në Europë i kërkoi linjave ajrore të mos fluturojnë për në Tel Aviv.

Menjëherë pas këtij vendimi, Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu ka kontaktuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, duke i kërkuar atij rinisjen sa më parë të fluturimeve.

Më herët gjatë ditës së martë, ministri izraelit i Transporteve kishte deklaruar se aeroporti ishte i sigurt dhe nuk ka asnjë arsye të për të pezulluar fluturimet.

Edhe para thirrjes së bërë nga autoritetet ajrore amerikane dhe europiane, disa kompani ajrore kishin bërë të ditur se kishin pezulluar fluturimet për në Tel Aviv për arsye sigurie.

Ndalimi i fluturimeve në Izrael vjen pas rrëzimit të avionit të “Malaysia Airlines” në lindje të Ukrainës, ku humbën jetën 298 persona.

Top Channel