Viktimat e MH17-s, drejt Holandës

23/07/2014 00:00

Trupat e parë të viktimave të avionit të “Malaysia Airlines” do të dërgohen në Holandë për identifikim. Një ditë zie do të mbahet në këtë vend, në nder të atyre që humbën jetën nga rrëzimi i fluturimit MH17 mbi Ukrainë, javën e kaluar.

Nuk ka më asnjë dyshim se “Boeing 777”, me 298 veta në bord, u godit nga një raketë, teksa kalonte mbi rajonet lindore të Ukrainës. Treni me vagonë frigoriferikë, që transporton më shumë se 200 trupa të tragjedisë, mbërriti të martën në qytetin e Karkivit.

Operacioni për gjetjen e viktimave të tjera dhe provave të një rëndësie kyçe, në këtë çështje, vazhdon.

Trupat e nisur drejt Holandës priten të mbërrijnë në 16:00, me orën lokale, në Eindhoven, pas një ceremonie lamtumire në Karkiv, ku marrin pjesë zyrtarë ukrainas. Avionin do ta presë e gjithë familja mbretërore holandeze dhe kryeministri Mark Rute.

Pas kësaj, kufomat do të dërgohen për identifikim, proces ky që, sipas kreut të ekzekutivit vendas, mund të kërkojë javë apo edhe muaj të tërë. Kutitë e zeza të avionit, sakaq, i janë dorëzuar autoriteteve holandeze nga zyrtarët malajzianë  dhe, sipas raporteve në mediat e huaja, do të dërgohen në Britani për ekzaminim.

5 ditë nga rënia e avionit, në sytë e ndërkombëtarëve e sidomos Amerikës është e qartë se faji për rrëzimin e fluturimit MH17 i takon rebelëve pro-rusë. Por, zyrtarë të lartë amerikanë të inteligjencës, të cilët preferuan të ruajnë anonimatin, deklarojnë se shpjegimi më i mundshëm për fatkeqësinë është ngatërrimi i avionit për një mjet tjetër.

Gati një javë nga rrëzimi po bëhet gjithmonë e më e besueshme se ka qenë e gjitha një gabim, thonë ata, duke shtuar se nuk është gjetur ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë mes episodit tragjik dhe Moskës.

Të tilla pohime e vënë Uashingtonin në pozitë të vështirë. Që prej rrëzimit, zyrtarët atje nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë trumbetuar me të madhe përfshirjen e Moskës në këtë sulm. Sekretari i Shtetit, John Kerry, madje, e drejtoi publikisht gishtin nga Rusia, e tha se shpejt, për rolin e saj në fatkeqësi, do të kishte prova dërrmuese.

Por, ndërsa është dalë në përfundimin se Moska ka krijuar kushtet për rrëzimin e avionit, deri tani nuk ka as edhe një provë të qartë, që të dëshmojë përfshirjen e drejtperdrejtë të qeverisë ruse.

Top Channel