“Costa Concordia” përfundon për skrap

23/07/2014 00:00

Kanë nisur që herët në mëngjes, gjatë së mërkurës, manovrat për të hequr mbetjet e ndryshkura të anijes “Costa Concordia” nga ishulli italian, ku ajo u përplas me shkëmbinj dhe u fundos rreth 2 vite më parë, duke lënë 32 persona të vdekur.

Një karvan prej 14 anijesh, të udhëhequra nga “Blizzard”-i tërheqës i tyre, do të nisin më vonë gjatë ditës së sotme të tërheqin e më pas ta rimorkiojnë anijen në një port pranë Xhenovës, në Veri të Italisë, ku do të mbërrijë të dielën, përpara se sa të çmontohet për skrap.

Anija, dikur tepër luksoze dhe e ngjyrosur me të bardhë shkëlqyese, u mbyt në ishullin piktoresk të Giglio-s në Janar të vitit 2012, pasi lundronte shumë pranë bregut të detit. Mbetjet e saj kanë mbetur atje, që kur inxhinjerët nisën një nga operacionet më të mëdha detare të shpëtimit në histori.

Gjatë javës së parë të operacionit, ekipet e shpëtimit nxorrën në sipërfaqe anijen prej 114,500 ton, nga platformat nëndetare, duke pompuar ajër nëpër 30 kuti të mëdha metalike. Franco Porcellachia, një inxhinjer i operacionit, tha të martën se ekipi i tij kishte bërë gjithçka të mundshme për t’u siguruar se anija, e cila ishte dy herë e gjysmë më e madhe se Titaniku, të ruhej e paprekur nga ana strukturore.

Top Channel