Tevez: Nëse vjen Mancini, unë iki!

23/07/2014 00:00

“Carlitos, mendojmë të marrim Mancinin, si thua?” Ja përgjigja: “Nëse e merrni, po bëj gati valixhet dhe po ndërroj skuadër.”

Kjo ka qenë pak a shumë përmbajtja e telefonatës mes Beppe Marotës dhe Carlos Tevezit të nesërmen e lamtumirës së Antonio Contes nga Juventusi.

Sulmuesi argjentinas nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mira me trajnerin italian në kohën që të dy ishin tek Manchester City dhe pasi morën mendimin e lojtarit, drejtuesit vendosën t’i ofronin detyrën ish-trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, i cili në konferencën e parë si trajner i Juventusit, deklaroi se do të fitojë zemrat e tifozerisë nëpërmjet rezultateve në fushë.

“Ndjehem me fat që kam drejtuar Milanin dhe sot më jepet mundësia të drejtoj Juventusin. Objektivi im është shpallja kampion për të katërtën herë me radhë dhe çerekfinalet e Ligës së Kampioneve”, tha ai.

Më tej, ish-trajneri i Milanit vlerësoi punën e paraardhësit të tij, ndërsa shtoi se me rezultatet në fushë do të fitojë besimin e tifozëve.

“Conte ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjej një skuadër të shkëlqyer që do të jetë skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon të Serisë A. E kuptoj reagimin e tifozëve. Në 24 orë ndryshoi gjithcka, por ata do të kenë mundësi të më njohin dhe unë jam gati për këtë pankinë. Juventusi është një skuadër me traditë dhe histori dhe unë dua të jap kontributin tim duke fituar së bashku me skuadrën”, tha ai.

Top Channel