Duke mbajtur pankarta në duar dhe duke hedhur parrulla për dhënien fund të dhunës në Gaza, qindra grekë kanë protestuar në Athinë, para zyrave të BE-së, kundër operacionit ushtarak izraelit, në një demonstratë të organizuar nga partia kryesore e opozitës, Syriza.

Aktivistët e organizatave paqësore, të atyre antiraciste, të komunitetit palestinez dhe komuniteteve të tjera të emigrantëve, kanë akuzuar qeverinë greke për mbështetjen që i bën qeverisë izraelite, në sulmin e saj ndaj popullsisë palestineze.

Bashkë me anëtarët e tjerë të partisë opozitare Syriza, ka marrë pjesë në protestë edhe kreu i Radikalëve të Majtë, Aleksis Tsipras.

“Është e nevojshme që të ndalen menjëherë këto mizori në Palestinë. Unë mendoj se zërat e aktivistëve dhe lëvizjeve në Europë dhe në botë duhet të bashkohen së bashku, për të kërkuar të ndalen këto mizori. Palestina është vazhdimisht në luftë dhe kjo luftë duhet në një moment të ndalet”, tha Aleksis Tsipras, lider i Syriza.

“Duam të marrë fund tani ky krim në Gaza. Po vriten fëmijë të vegjël, po goditen spitalet dhe xhamitë. Ky krim duhet të ndalet”, tha Thanasis Kourkoulas, aktivisti kundër racizmit.

Sipas pjesëmarrësve, protesta e tyre është zhvilluar në kuadrin e një sërë demonstratash pro-palestineze, që janë mbajtur në disa kryeqytete europiane, si Parisi dhe Londra, me anë të të cilave dënohet sulmi izraelit, që ka filluar më 8 Qershor nga ajri dhe më pas ofensiva tokesore të enjten e kaluar, në një operacion ku të paktën 600 palestinezë, shumë prej tyre civilë, dhe 29 izraelitë kanë humbur jetën.

Protestuesit kanë marshuar më pas edhe para Ambasadës amerikane në kryeqytet. Shumica e grekëve, për vite me radhë kanë mbështetur moralisht të drejtën për krijimin e një shteti palestinez dhe kanë dënuar operacionet e vazhdueshme ushtarake të ushtrisë izraelite, ndërsa nga ana tjetër Athina zyrtare ruan marrëdhënie të mira me Tel Avivin.

Top Channel