Fermerët e sherebelës kërkojnë ndihmë

23/07/2014 00:00

Në rrethin e Kukësit, fermerët e sherebelës rrezikojnë të falimentojnë, pasi prodhimi i bimës ka mbetur në magazina dhe shtëpitë e tyre.

Për këtë sezon prodhimi, ata kishin shumëfishuar sipërfaqet e mbjella, ngaqë tregu i një viti më parë pati shumë kërkesa. Por, situata këtë vit në tregun e shitjes, sipas fermerëve, ka ndryshuar.

Fermerët thonë se ka abuzime nga kompanitë që e grumbullojnë, të cilat kanë ulur çmimin e blerjes së bimës, edhe për shkak të monopolizimit të sistemit të shitjes.

Në Kukës, sipërfaqja e sherebelës ka arritur në më shumë se 45 hektarë dhe shumica e fermerëve e kanë kultivuar me subvencione të Ministrisë së Bujqësisë. Vetë kushtet e motit favorizuan këtë vit një prodhim të bollshëm, por çmimet në tregun e shitjes po kthehen në një zhgënjim për fermerët.

Në pesë vitet e fundit, kultivuesit e sherebelës në qarkun e Kukësit u dyfishuan dhe tregu i shitjes, gjatë këtyre viteve, ka qenë i sigurt, por këtë vit stoqet e sherebelës në magazina i kanë bërë pesimist fermerët për kultivimin e bimës vitin e ardhshëm.

Top Channel