Reshjet shkatërrojnë edhe rrugën

23/07/2014 00:00

Kjo është rruga e fshatit Erebarë, i cili u shkatërrua i gjithi në vetëm një orë mbrëmjen e djeshme. Shkak është bërë një stuhi e fortë, me shi dhe breshër, që shkaktoi fryrjen tej mase të një përroi.

Për pasojë, banesa të tëra janë dëmtuar, rruga nuk ekziston më, të mbjellat janë shkatërruar, e sasi të mëdha balte dhe gurësh janë tashmë në tokat bujqësore, oborre dhe banesa.

Drejtuesit e bujqësisë dhe krerë të pushtetit vendor thonë se po verifikojnë dëmet.

“Ne po evidentojmë dëmet në disa prej familjeve të dëmtuara. Janë familje që janë mbuluar nga balta e nga gurë. Mendoj se shumë shpejt do të vijë fadroma. Ne kemi marrë masat tona, kemi njoftuar Prefekturën dhe shërbimin e emergjencave civile. Po marrim masa gjithashtu për të hapur rrugën brenda ditës së sotme, të bëhet qarkullimi normal i lëvizjes së njerëzve”, tha Bardhi Agolli, kryetar i Komunës Maqellarë.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit, që nga ora 7 e mëngjesit kemi qenë prezent në këtë fshat për të parë dëmet e shkaktuara. Sa i përket infrastrukturës do të ndërhyjnë pushteti lokal dhe Prefektura, ndërsa ne erdhën në terren për të parë edhe dëmet e shkaktuara në bujqësi”, tha Nevruz Jashari, drejtor i Bujqësisë, Dibër.

Specialistë të emergjencave civile po verifikojnë edhe dëmet, që në të gjithë zonën janë shumë të mëdha.

Top Channel