PD: Rama kërkon të përgjojë çdo shqiptar

23/07/2014 00:00

Partia Demokratike është me shpresë se Gjykata Kushtetuese nuk do të vonojë të marrë në shqyrtim dhe të pranojë kërkesën e saj për të pëzulluar zbatimin e vendimit të qeverisë, që detyron qytetarët të regjistrojnë pranë kompanive telefonike IMEI-n, numrin identifikues të celularit të tyre dhe më pas këto të dhëna të mblidhen në një server, të menaxhuar nga Ministria e Financave.

“Ne shpresojmë që Gjykata Kushetutese ta marrë në shqyrtim sa më parë dhe ta pezullojë vendimin para datës 6 gusht, kur kryeministri ka vendosur sanksione për çdo individ që nuk i dorëzon pasaportën e celularit personalisht atij, që nuk i dorëzon jetën private personalisht atij dhe që nuk i dorëzon 5.000 lekë, sipas pikës 6 të VKM-së”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Sipas Partisë Demokratike, nëse vendimi lihet në fuqi, ky do të jetë fundi i jetës private të çdo qytetari që përdor një celular, sepse, sic thotë opozita, edhe në kërkesën e saj për Gjykatën Kushtetuese, duke patur IMEI-n, qeveria ka kontroll të pakufizuar në çdo celular.

“Pa kërkuar lejen e prokurorisë mund të identifikojnë në pak sekonda vendndodhjen se ku është individi, me kë është, çfarë është duke bërë, të kontrollojë e-mailin, mesazhet, Whatsapp, Viber, Bbm, Facebook, Twitter dhe çdo telefonatë sigurisht. Mund të futet tek fotot, të dhënat personale të çdo individi. Dhe nuk flas për manjakë informatikë dhe as haker piraterie, por për kryeministrin i cili ua ka kaluar të gjithëve me këtë mani për të përgjuar çdo kënd mbi tokë”, tha Halimi.

Partia Demokratike ftoi të thyejnë heshtjen dhe të reagojnë kundër këtij vendimi të qeverisë edhe Avokatin e Popullit, Komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe përfaqësuesit e shoqërise civile.

“Ne do të vazhdojmë këtë betejë dhe ftojmë çdo të ri, çdo të re, çdo burrë e grua të vendit që të mbrojë jetën e tij private kundër një vendimi antie-uropian, anti-kushtetues dhe anti-demokratik si ai i një kryeministri që kërkon të futet në jetën personale të gjithëkujt”, shtoi Halimi.

Një arsye më shumë për të reaguar, sipas opozitës, është vendimi i Gjykatës së Drejtësisë, e cila rrëzoi tre muaj më parë një direktivë të Bashkimit Europian për regjistrimin e IMEI-t nga kompanitë celulare, duke e cilësuar atë një rrezik për jetën private të qytetarëve europianë.

Top Channel